Qytetarët izraelitë pranë Bregut Perëndimor ankohen se dëgjojnë tinguj të gërmimit, kërkohet inspektim nga organet kompetente

10 months ago 47

Banorët e qytetit izraelit Bat Hefer u ankuan tek autoritetet në qytet se kanë dëgjuar tingujt e gërmimit prej muajsh, dhe kërkuan inspektime shtesë për të zbuluar tunele të mundshme të përdorura nga Hamasi.

Qyteti Bat Hefer nuk është larg nga Bregu Perëndimor dhe qyteti Tulkarem, dhe banorët kanë raportuar më parë zhurma të çuditshme që ata pretendojnë se mund të përfaqësojnë tunelet e Hamasit, transmeton Telegrafi.

“Banorët që u ankuan për zhurmat e gërmimit pranë shtëpive të tyre, e kanë thënë këtë për më shumë se një vit”, tha një banor për Channel 12 të Izraelit.

Ndonëse frikën e tyre e kanë ndarë me zyrtarët, banorët theksojnë se ende ekziston frika se Hamasi po kryen aktivitete të caktuara nën tokë.

“Kërkimet e para për tunelet u kryen nga një kompani e specializuar, e dyta nga ushtria izraelite dhe e treta nga Ministria e Mbrojtjes. Deri më tani nuk është gjetur asgjë, por autoritetet lokale do të kryejnë kontrolle në ditët në vijim”, shkruan The Times of Israel.

Për frikën e banorëve folën edhe përfaqësues të këshillit të qarkut, të cilët deklaruan se do të kryejnë teste shtesë për të zbutur frikën nga tunele të mundshme.

“Ne i marrim raportimet shumë seriozisht dhe me kalimin e kohës po punohet që problemi të verifikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe profesionale, duke përdorur metoda të ndryshme. Nga rezultatet e hetimeve të deritanishme nuk ka treguar që ka tunele”, thanë ata në këshillin e qarkut. /Telegrafi/

Read Entire Article