Rama: BE të mendojë për një sistem të përbashkët të mbrojtjes kibernetike

11 months ago 22
18:02 10/11/2023

Sulmet kibernetik që iu bënë sistemit të shërbimeve publike nga Irani kryeministrit Rama i kanë shërbyer për të dalë në konkluzionin se luftëra të tilla virtuale nuk mund të fitohen nëse nuk bashkon forcat me të gjitha vendet pro-europiane. I ftuar në një nga panelet e Forumit të Paqes në Paris për të folur mbi impaktin që patën sulmet e hakerave iranianë vitin e shkuar propozon një sistem të përbashkët europian.

“Ajo që mësuam nga e gjithë kjo që BE duhet të mendojë seriozisht për ndërtimin e një sistemi të përbashket të mbrojtjes kibernetike sepse sa më gjatë të qëndrojnë të ndarë këto sisteme aq me vurnerabël bëhen, nga ana tjetër duke pasur një sistem të përbashkët mbrojtjës sa më shumë të tentosh që të sulmosh një vend apo një tjetër aq më e vështirë do të bëhej se ke përballë një asamble vendesh. Është një luftë e vërtetë që zhvillohet në këtë hapësirë prandaj është e rëndësishme të dish çfarë armësh përdor kundërshtari dhe që të kesh njohuri të përbashkëta është shumë më mirë se të kesh njohur individualisht”, tha Rama.

Rama i është mirënjohës dhe ia përsëriti disa herë, përfaqësuesit të Microsoftit që ishte në të njëjtin panel me të, për ndihmën jo vetëm për të shpëtuar sistemin e shërbimeve publike por tanimë dhe për ta forcuar atë.

Kryeministri Rama deklaroi një ditë më parë se në Forumin e Paqes do të mund të shprehë qëndrimin lidhur me atë që po ndodh në Rripin e Gazës duke përsëritur propozimin se në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm nga Izraeli, Lidhja Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi.

Sipas Ramës nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article