Rama: Dalja e Kosovës me një marrëveshje nga ky proces, lartëson kombin shqiptar

1 year ago 56
Reklamë

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për Klan Kosovën se, dalja me sukses e Kosovës në këtë proces me një marrëveshje, që është njohje ‘de facto’, lartëson kombin shqiptar.

I pyetur lidhur me përgjigjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për propozimin për draft-statutin për Asociacionin, Rama u shpreh se, “kjo nuk është përgjigje për mua. Kjo është një përgjigje për të ekzaltuar ata që votojnë dhe që e shikojnë këtë situatë, si situatë ku Davidi i duhet të luftojë me gjithë Goliathët e botës. Kjo është për t’iu thënë atyre dhe ata qeshin hahah, të shkojë ai vëllai Vuçiçit atje dhe t’ia bëjë atyre, se ai s’vjen dot këtu. Kjo është për ata dhe në rregull puna e tij. Albini është i zoti në këtë, askush s’ia ka mohuar ndonjëherë që është i zoti t’i mobilizojë njerëzit për idetë e veta, puna e tij”.

Por, shtoi Rama, “kjo përgjigje nuk i vlen çështjes. Sepse nuk di unë që SHBA-të, BE, dhe të gjithë bashkë të kenë ndonjë shqetësim sot për të zgjidhur ndonjë problem Asociacioni në serbi. Unë di që shqetësimi është këtu. Dhe unë nuk di që Serbia të jetë në ndonjë luftë për t’u njohur nga gjysma e botës që nuk e njeh apo për nga 5 shtete në BE që nuk e njohin. Unë di që Kosova është në këtë përpjekje’.

“Dëgjoj dhe një gjë tjetër shumë interesante, se e dëgjova dhe nga Glauku. Kur Shqipëria na ka ndihmuar ne, ne kemi ecur përpara, kur Shqipëria na ka penguar ne, ne nuk ecim dot përpara aq shumë”, tha Rama.

“E para punë njëherë, Kosova ka ecur përpara edhe me njohjet sepse kanë qenë këta që sot Kosova po i trajton sikur janë nxënës të hutuar që kanë nevojë të marrin leksione që kanë dashur të ecin përpara me njohje. Shqipëria vetë, pa ata nuk kishte bërë dot gjë, zero. Që të jemi shumë të qartë”, u shpreh Rama.

“Ndërkohë që, këtu bëhet fjalë për të bërë një zgjedhje të qartë strategjike, duam të arrijmë marrëveshjen dhe të mbarojmë këtë fazë të historisë me atë që Albini vetë me të drejtë e quan njohje ‘de facto’, apo duam të luftojmë me gjithë botën për Oson. Këtu ndahet kjo punë. Nuk ka tjetër. Ose për Oso Kukën atje që të mos dorëzohet duke ndjetur brenda, se u bë dhe 2 muaj brenda ai atje, nuk del dot as të marrë ajër në dritare. I vetëvendosur, i vetburgosur, me policinë që e ruan. Dhe për atë plesht të digjet i gjithë jorgani kur thotë fjala, ose ne të bëjmë gjërat që na takojnë dhe ta lartësojmë më tutje kombin shqiptar, sepse në fund të ditës dalja me sukses e Kosovës në këtë proces, me një marrëveshje që është njohje ‘de facto’ lartëson kombin shqiptar. Ndërsa kjo që ndodh sot e ul kombin shqiptar. Ky është fakti”, theksoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Read Entire Article