Rama në Bruksel: Plani i rritjes, hapi i parë drejt integrimit në BE

8 months ago 18
09:43 15/02/2024

Si vend që ka hapur negociatat për anëtarësimi në BE, Shqipëria është bërë pjesë e Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale, por pa të drejtë vote.

Këtë hap, Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar si pozitiv në rrugën drejt integrimit të plotë drejt Bashkimit Europian.

Në një konferencë shtypi nga Brukseli me Presidentin e Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale, Oliver Ropke, dhe me Kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajiç, Rama bëri thirrje për bashkëpunim shumë të ngushtë mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Unë besoj se ky është shembulli i parë i shkëlqyer se si duhet të parashohim të ardhmen e afërt dhe se si me gjasë duhet të biem dakord me miqtë tanë të BE lidhur me qasjet e ndryshme për t’i bërë gjërat së bashku duke na lejuar ne vendet kandidate që të jemi pjesë e hapësirave të dialogut të ndërveprimit dhe bashkëpunimit që kjo organizatë e jashtëzakonshme ofron për të gjithë anëtarët. Duke pasur vendet tona sot në këtë komitet si anëtare në kuptimin e plotë pa të drejtën e votës është ajo çka duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt për BE dhe Ballkanin Perëndimor që duhet të gjejnë rrugën për t’u siguruar që rrugëtimi drejt anëtarësimit tonë të plotë të jetë rrugëtim bashkëpunimi shumë të ngushtë, por po kështu rrugëtim ndërveprimi mjaft organik që duhet të ofrohet nga BE dhe institucionet e tij. Unë besoj fort se është koha që BE të kuptojë se vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor por jo vetëm nuk janë vetëm mjaftueshëm të pjekura por po kështu janë në një situatë ku meritojnë të përqafohen e të sillen më pranë pa qenë domosdoshmërisht anëtarë me të drejta të plota siç në fakt është objektivi fundor i gjithë këtij procesi”.

Të njëjtin shembull, Kryeministri Rama kërkoi që të ndiqet edhe nga struktura të tjera të Ballkanit Perëndimor, që të punojnë ngushtësisht me vendet e Ballkanit.

“Ajo çfarë po ndodh sot është shembull ekzemplar i asaj çfarë duhet të ndodhë më tej në nivele të tjera e struktura të tjera të BE dhe besoj fort se ajo që po ndodh sot këtu duhet të ndodhë në Parlamentin e BE, në KE dhe në KiE. Dhe kjo është rruga e vetme për të qetësuar shpirtrat dhe për të injektuar një energji mjaft konkrete, një energji mjaft të prekshme, mjaft të dobishme në të gjitha vendet kandidate dhe qytetarët e tyre lidhur me të ardhmen mjaft konkrete të qenit pjesë e BE në të kundërt do të rrezikojmë t’i hyjmë një rruge që nuk mbaron kurrë të qëllimeve të mira, të një morie premtimesh por pa asnjë rezultat konkret. Mendoj që ndërkohë plani i ri i rritjes është po ashtu një tjetër shembull shumë i rëndësishëm i një shkalle ndërgjegjësimi, i një mënyre ndryshe të të parit të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera kandidate dhe të parit të vetë së ardhmes së BE”.

Kryeministri kërkoi që ritmi i BE-së për të treguar me vepra angazhimin ndaj Ballkanit Perëndimor të vazhdojë, ndërsa shprehu keqardhjen që u desh agresioni rus ndaj Ukrainës për të vënë në lëvizje Brukselin.

Duke thënë të gjitha këto, dëshiroj ta përmbyll se së fundmi po shohim që BE është shumë më i vetëdijshëm në vepra jo vetëm me fjalë për rëndësimë strategjike që ka Ballkani Perëndimor për BE dhe është e trishtë që të duhej Vladimir Putin që të ndodhte kjo gjë. Besoj se ne tashmë duhet ta ruajmë këtë ritëm duke ecur përpara me hapa të guximshëm e të mos presim për një goditje tjetër që të na kujtojë e të kuptojnë njerëzit në Bruksel se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE. Të gjithë në BE duhet të kuptojnë jo vetëm teorikisht që ky ndërgjegjësim të bëhet edhe praktikisht”, theksoi Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article