Rama në Rai News 24: Vetëm 1 qendër pritje në Gjadër

11 months ago 9
15:40 08/11/2023

Nuk është marrëveshje interesash, por mirënjohjeje

Kryeministri Rama ka dhënë të tjera detaje në lidhje me marrëveshjen me Italinë për strehimin e refugjatëve që vijnë nga Afrika e veriut. Në një intervistë për Rai News 24 Rama sqaron se do të jetë një qendër e vetme pritje që do të vendoset në Gjadër.

“Nuk do të jenë dy qendra pritje, sepse përsëritet kjo gjë dhe pastaj bëhet një e vërtetë false. Do të ketë një qendër pritje, dhe një vend për të sapombërriturit ku personat do të verifikohen në kushte të respektueshme dhe pastaj do të transportohen në qendrën e pritjes”.

Afati për të shqyrtuar një kërkesë për azil në Itali është 28 ditë dhe në çdo rast si në atë të pranimit të kërkesës ashtu dhe të refuzimit azilkërkuesi duhet të largohet nga qendra e pritjes drejt Italisë. Por gazetari italian i kujton kryeministrit se ky afat asnjëherë nuk respektohet në shtetin fqinj për shkak të fluksit të kërkesave ndaj pyetja që pason është si do t’ia dalë Shqipëria të mirëpresë çdo muaj 3 mijë emigrantë? 

“Unë nuk mund të flas në emër të qeverisë italiane sesi duhet të respektojë kornizën ligjore të kësaj marrëveshje. 36 mijë është një numër që vjen si llogaritje e 3 mijë vendeve do të jenë të disponueshme për këtë kategori emigrantësh, pastaj nëse ka një rotacion prej 3 mijë çdo muaj arrihet në 36 mijë. Por ne jemi të qartë, ne kemi 3 mijë vende në qendrën e pritjes dhe aq do të mirëpresim”.

Kryeministri bëri një deklaratë të fortë teksa tha se disa vende i vendosin për të mos i pranuar emigrantët vetëm nga ngjyra e lëkurës.

“Ka vende të unionit që nuk e fshehin aspak që janë të mbyllur dhe nuk mund të pranojnë emigrantë që vijnë nga vende ku njerëzit kanë një tjetër ngjyrë dhe një tjetër fe. Dhe po të njëjtat vende kanë pranuar të mirëpresin me miliona emigrantë ukrainas që i ikën sulmeve ruse. Dhe ta themi deri në fund se janë të bardhë dhe janë kristianë”.

Shqetësimit se mes të ardhurve mund të ketë kriminelë e terroristë të cilët mund të destabilizojnë vendin tonë dhe të dëmtojnë turizimin, kryeministri i përgjigjet me një siguri, që duket se i buron nga eksperienca me afganët vitin e shkuar.

“Po si mund të ndikojë negativisht ne pritëm 4 mijë afganë në të njëjtën hapësirë? Dhe për të thënë të drejtën asnjë nuk i pa këta afganë”.

Kryeministri nuk e fshehu nervozizmin kur u pyet se çfarë do të marrë në këmbim Shqipëria nga Italia, duke thënë se kjo nuk është një marrëveshje interesash, por detyrimesh dhe mirënjohje që vendi ynë ka ndaj Italisë që i është gjendur gjithmonë kur ka pasur kriza të mëdha.

“Të gjithë gazetarët italianë bëjnë të njëjtën pyetje. Po përse duhet të kërkojmë diçka në këmbim? Çfarë na kërkoi në këmbim Italia në gjithë këto vite? Kjo që ne do të kërkojmë mbështetje për anëtarësimin në BE është qesharake. Futja në këtë union nuk bëhet në këtë mënyrë që Italia të thotë merrni 3 mijë emigrantë dhe ne ju fusim në këtë familje. Në çfarë bote jetojmë”, tha ai.

Marrëveshja parashikon një afat prej 5 vjetësh me të drejte rinovimi për 5 vjet të tjera.

Tv Klan








Të ngjashme

Read Entire Article