Në takimin e përvitshëm të fundit të vitit me gazetarët, Kryeministri Rama u ndal tek arritjet që ka shënuar Shqipëria në vitin 2023 si dhe ka bërë një pasqyrë të ndodhive të këtij viti.
“Them me plot gojë se ndihem më mirë se asnjë vit të mëparshëm si rezultat i gjithë ecurisë së vitit që po mbyllëm, që ka qenë viti më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt. Viti më i mirë në aspektin ekonomik, në raport me vitet e shkuara, jo me sa shumë duhet bërë për rritjen e mëtejshme. Viti më i mirë në aspektin e sigurisë, në aspektin e shërbimeve publike, investimeve publike e të huaja të drejtpërdrejta, në aspektin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë. Faktikisht ky vit do të mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikim qoftë nga qeveria dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Besojmë se shifra do të jetë afro 4%, tek 3.7-3.8%. Të ardhurat kanë qenë më të larta se asnjë vit më parë, me një rritje të ndjeshme, mbi ato të parashikuara. Në 9 mujorin e parë, vetëm nga turizmi Shqipëria ka fituar 3,2 miliardë euro të hyra, një shifër shumë e lartë dhe pa asnjë krahasim me vitet e mëparshme” deklaroi Kryeministri.