Rama reagon për marrëveshjen e pensioneve me Italinë: Ditë e bukur për politikën dhe familjet shqiptare

8 months ago 17
15:33 06/02/2024

Ditë e bukur për familjet shqiptare në Itali, por edhe fundi i odisesë për 500 mijë shqiptarë të jetojnë përtej brigjeve të Adriatikut. Kështu e ka cilësuar Kryeministri Rama firmosjen e marrëveshjes për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Sot është një ditë e bukur për familjet shqiptare në Itali. Puna e tyre e ndershme, vitet e tyre të njëpasnjëshme në punë për të ndërtuar një ekonomi familjare me mund e me djersë, kontributi i tyre në ekonominë dhe në sigurimet shoqërore të vendit të dashur fqinj, nga sot do t’u kthehen në pensionet e tyre, secilit e secilës sipas asaj që u takon. Fillimisht dukej krejt e pamundur për shkak të peshës domethënëse financiare të një marrëveshjeje të tillë. Por ja ku ia dolëm edhe kësaj”, tha Rama.

Në një mesazh, ku nuk kurseu falenderimet e miqve italianë që e mbështetën ndër vite këtë proces, Rama tha se më në fund qeveria e tij ia doli të përmbushë një detyrim ndaj emigrantëve shqiptarë.

“Sot jam shumë krenar për bilancin tërësor të përpjekjes së qeverisjes socialiste në mbështetje të emigrantëve shqiptarëve, të cilët falë kësaj përpjekjeje gëzojnë të drejtën e njohjes së mundit e të djersës së tyre në 16  shtete, ku si pensionistë do të shpërblehen me meritë bazuar në sigurimet shoqërore që kanë derdhur nga puna e tyre e palodhur”, shtoi kryeministri.

Përveç Italisë, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje në fushën e sigurimeve edhe me Hungarinë, Kanadanë, Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Gjermaninë, Austrinë, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën Ceke. Sakaq në proces marrëveshjet janë duke u negociuar edhe me Holandën, Francën, Greqinë dhe Rumaninë.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article