Rashiçi akuzon Serbinë për shantazh dhe i kërkon ta lirojë drejtorin e Leposaviçit

1 year ago 39
Reklamë

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiçi, i bëri sot thirrje, siç e quajti ai, regjimit radikal të Serbisë ta lirojë drejtorin e ri të Komunës së Leposaviçit, Nikolla Radimiroviç, për të cilin tha se u arrestua më 9 shtator dhe po mbahet në Rashkë, jugperëndim të Serbisë.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të shtunën vonë se politikan serb i Kosovës Radimiroviç u arrestua së bashku me të fejuarën e vet.

Nikolla është i biri i zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Radoica Radimiroviç.

Rashiçi tha më 10 shtator në një konferencë për media në Prishtinë se “arsyeja për arrestimin e Nikollës është presioni ndaj Radoicas.”

“Guxoj të them se kjo është pjesë e metodologjisë së shantazheve”, theksoi Rashiq.

Radimiroviç u emërua drejtor i Administratës së Komunës së Leposaviçit pas zgjedhjeve të prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë dhe të cilat u bojkotuan dhe u kundërshtuan nga serbët, duke çuar në tensionimin e gjendjes.

Ai e përshkroi gjendjen si “më të vërtetë dramatike”, duke shtuar se “është një metodologji e cila po zbatohet që 7-8 vite, kur them aq vite, rasti im personal zgjatet kaq shumë. Sa herë jam përpjekur ta kalojë kufirin jam ndaluar nga policia serbe për disa orë, çdo herë. Unë zakonisht shkoj [në Serbi] për vizita familjare.”

Rashiç tregoi se Radimiroviçi ishte ndaluar në pikën kufitare në Leposaviç për më shumë se tetë orë, para se të dërgohej në një stacion policor në Rashkë, ku është duke u mbajtur në pritje të gjykatësit paraprak.

“Ai është marrë në pyetje nga persona që prezantohen si anëtarë të BIA-s (Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë). Sipas informacioneve, ai do të mbahet atje deri të hënën së paku.”

Rashiçi e akuzoi Qeverinë e Serbisë se po bën përpjekje për t’i kontrolluar politikanët serbë të Kosovës përmes presionit dhe shantazheve.

“Kemi arritur në kulmin e një situate ku secili prej nesh që mendon ndryshe prej regjimit radikal, ekstrem, që fatkeqësisht e ka pushtetin në Beograd, jemi bërë cak i veprimeve të vrazhda dhe johumane.”

Rashiçi u emërua në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi Goran Rakiq dha dorëheqje, së bashku me serbë të tjerë nga veriu, në nëntor të vitit të kaluar.

Rashiçi vjen nga radhët e Listës Serbe, e vetmja parti që kishte mbështetjen e Beogradit për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e quajti Rashiçin “llum”, pasi u emërua ministër në Qeverinë e Kurtit.

Arrestimi i Radimiroviçit vjen më pak se një javë para rinisjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në nivel të lartë në Bruksel.

Ministri Sveçla i kërkoi Serbisë t’i ndalë presionet dhe “aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj.” /REL

Top Channel

Read Entire Article