Rusia proteston vendosjen e komandës detare të NATO-s në bazën gjermane të Rostock (fotot)

2 hours ago 39

Rusia thirri sot ambasadorin gjerman në Moskë për të protestuar ndaj krijimit të komandës detare të aleancë së NATO-s në qytetin verilindor gjerman Rostock.

Moska tha se në kundërpërgjigje, gradualisht do të rishikojë dhe do të veprojë ndaj hapave që shkelin akordet e Luftës së Ftohtë dhe ato të pas Luftës së Dytë Botërore, kundër militarizimit të Gjermanisë, shkruan rrjeti shtetëror turk Anadolu.

“Kjo është një shkelje flagrante e frymës dhe e Traktatit të Marrëveshjes në Lidhje me Gjermaninë, datë 12 shtator 1990, veçanërisht neni 5, paragrafi 3, që detyron Gjermaninë të parandalojë stacionimin e trupave të huaja në territorin e ish-Gjermanisë Lindore (GDR),” thuhet në deklaratë.

Të hënën NATO inauguroi formalisht komandën e re detare në bazën e Rostock, për të cilën aleanca thotë se do të koordinojë operacionet në Detin Balltik.

“Ministria ruse kërkon shpjegime të plota dhe të menjëhershme nga Berlini,” thuhej me tej, duke bërë krahasime me situatën e Gjermanisë në 1936, kur nisi militarizimin e Rhineland në kundërshtim me Traktatin e Versajës.

Në deklaratë thuhej se si politikët evropianë dhe mbështetësit e tyre në Uashington duket se vuajnë “amnezia historike,” duke harruar dëmin e heshtjes së Parisit e Londrës dhe aprovimin e heshtur të veprimeve të Hitlerit në shekullin e 20-të, të cilat nxiteshin vetëm nga armiqësia ndaj ish-Bashkimit Sovjetik”.

“Në këtë referencë historike, ish-aleatët perëndimorë dhe koalicioni anti-Hitler jo vetëm mbështetën shkeljet e Berlinit të marrëveshjes ndërkombëtare, por u bënë pjesë direkte e tyre”, shkruante ministria ruse.

Deklarata përfundon duke paralajmëruar se zgjerimi infrastrukturës ushtarake të NATO-s në territorin e ish-Gjermanisë Lindore do të ketë pasoja dhe nuk do të lihet pa kundërpërgjigje nga Rusia, shkruan rrjeti turk Anadolu.

Read Entire Article