Serbia shpall ditë zie për kriminelët e vrarë. Prishtina: Beogradi vulosi autorësinë

11 months ago 14
Reklamë
15:40 26/09/2023

Serbia shpalli 27 Shtatorin si ditë zie në nder të atyre që u vranë gjatë sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, të dielën e shkuar. Këtij vendimi iu bashkua edhe Lista Serbe e cila shpalli tre ditë zije të për të vrarët, ndonëse ata morën pjesë në një akt terrorist.

Lidhur me këto zhvillime reagoi Prishtina zyrtare, e cila përmes ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se shpallja e zisë për kriminelët e vrarë tregon qartë se kush qëndron pas këtij sulmi.

Xhelal Sveçla, ministër i Brendshëm i Kosovës: Ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi.

Ai publikoi edhe një video të re nga dita e sulmit ku sipas tij dallohet qartë se në krye të këtij akti terrorist qëndron zëvendëskryetari i Listës Serbe Milan Radojçiç, i shpallur pjesë e Listës së Zezë nga ShBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

Xhelal Sveçla: Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiç përmes Listës Serbe dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiç, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. 

Ndërkohë që Gjykata në Prishtinë dha masën e paraburgimit për 30 ditë 2 të arrestuarve për terrorizëm në sulmin ndaj Policisë. Ata janë sjellë dhe larguar nga gjykata në masa të rrepta sigurie.

Avokati i Dushan Maksimoviç tha se do të paraqesë ankesë ndaj vendimit të gjykatës. 

“30 ditë paraburgim i është shqiptuar klientit tim dhe të arrestuarit tjetër. Ne do të parashtrojmë ankesë dhe kemi paraqitur disa fakte që mendojmë se janë relevante dhe që tregojnë për diçka që ndoshta është më shumë mosmarrëveshje sesa që ka lidhje me veprën penale”, tha ai.

Ka reaguar edhe motra e tij e cila thotë se është i pafajshëm.

 “E tëra që mund të them për vëllain tim është se hetimet do të tregojnë të vërtetën. Ne jemi me të dhe do ta përkrahim”.

30 ditë paraburgim i janë shqiptuar edhe të arrestuarit të tretë i cili është plagosur.

Seanca gjyqësore dëgjimore ndaj personit të tretë është mbajtur në hapësirat e QKUK-së pasi ai është duke u trajtuar nga plagët e marra të dielën.

Situata në veri të martën paraqitej e qetë. 

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article