Sezoni i ri turistik, risi për pushuesit vendas e të huaj! Drejtoria e Turizmit në Durrës: Kemi një rritje të numrit të kroçerave dhe jahteve

9 months ago 9

Sezoni i ri turistik do të ofrojë më shumë risi për pushuesit vendas e të huaj në Durrës.

Ekoparku me një sipërfaqe prej 15 ha në të cilin ndodhet dhe muri më i lartë për ngjitje argëtuese në Ballkan, një aplikacion me informacion të bollshëm për turistët dhe më shumë aktivitete do të ofrohen gjatë këtij sezoni, ndërkohë që siguria dhe pastërtia në plazhe do të mbeten përparësi për të gjitha strukturat. Kjo u deklarua nga Bashkia e Durrësit gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak gjatë së cilës u raportua dhe për sezonin e kaluar turistik.

“Po t’i referohemi kapaciteteve akomoduese në qytetin e Durrësit për vitin 2023, nisur nga grupet e punës në terren evidentohen 168 hotele, 4859 dhoma dhe 11 528 shtretër. Ka pasur një numër të lartë vizitorësh. Ka një rritje të hyrjeve në port me 21%. Shumë vizitorë dhe turistë vijnë nga Italia, Franca dhe Gjermania, po dhe Mbretëria e Bashkuar dhe nga vendet nordike, po këtë vit janë shtuar dhe hyrjet nga vende të tjera si SHBA, Kanadaja, India etj. Kemi një rritje dhe të numrit të kroçerave dhe jahteve. Taksa e fjetjes është dyfishuar gjithashtu”- tha Floreta Kërtusha, Drejtoria e Turizmit, Bashkia Durrës.

Këshilltarët e djathtë kërkuan një shfrytëzim dhe promovim më të mirë të Durrësit nga ana e bashkisë që të mos konsiderohet thjesht si një plazh masiv, po të vlerësohet për resurset e shumta dhe trashëgiminë e pasur kulturore. Gjatë kësaj mbledhjeje u miratua dhe harta e zonave të lejuara për plazhe private dhe publike për sezonin e ri, ndërsa u propozua që dhe në plazhet më të frekuentuara hapësira fundore e rërës të lihet e lirë në dispozicion të pushuesve vendas e të huaj dhe të mos i jepet privatëve. Vitin e kaluar në Durrës pati 650 parcela për plazhe private, ndërsa u ruajt ndarja 30 me 70 % të brezit të rërës në favor të plazheve private. Këshilltarët kërkuan investime konkrete në rrugë, ujë dhe kanalizime në plazhet jashtë qytetit si Kallmi e Porto Romano, ku infrastruktura lë për të dëshiruar.

Në mbledhje të djathtët ngritën zërin sërish për transparencën mbi procesin e rindërtimit, duke sjellë në vëmendje sërish kërkesën për një komision hetimor që të nxjerrë në pah abuzimet e bëra gjatë këtij procesi, kërkesë që është hedhur poshtë nga institucioni i prefektit të qarkut. Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan përfshirë dhe ato në lidhje me këtë proces kaq të rëndësishëm për banorët e Durrësit pas tërmetit të vitit 2019.

Top Channel

Read Entire Article