“Shkelje e barazisë në tendera”/ VOA: Një tjetër deputet socialist nën akuzë! Plarent Ndreca merret i pandehur nga SPAK

2 hours ago 17

Në Shqipëri, deputeti socialist Plarent Ndreca u mor sot i pandehur nga Prokuroria e posaçme. Avokatit të tij, iu komunikua se deputeti akuzohet “Shkeljes së barazisë në tendera”, për rastin e rikonstruksionit të katër komisariateve në qytete të ndryshme të vendit. Në atë kohë, ai ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. Fundjavën e shkuar, u arrestua një tjetër deputet socialist i porsadorëhequr, Jurgis Çurbja, ndërsa të hënën, u vendos nën masë sigurie dhe deputetja e opozitës Monika Kryemadhi, si pjesë e hetimeve që çuan në arrestimin, po atë ditë, dhe të ish presidentit Ilir Meta.

Hetimet për tenderin e zhvilluar për rikonstruksionin e komisariateve të Mirditës, Vlorës, Pogradecit dhe atij numër 4 në kryeqytet, kanë nisur në vitin 2021. Shkak u bë një kallzim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit procesi kishte patur shkelje të procedurave. Në kohën kur është zhvilluar, gara, deputeti socialist Plarent Ndreca ishte Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Brendshme, kur ky institucion drejtohej nga zoti Sandër Lleshaj. Dyshimet janë se fituesi i tenderit ka qenë i paracaktuar.

Zoti Ndreca nuk u paraqit vetë në Prokurori, por zgjodhi të dërgojë një avokat mbrojtës, të cilit iu komunikua akuza për deputetin socialist, ajo e “Shkeljes së barazisë në tendera”. Nën akuzë përfunduan dhe persona të tjerë, ish anëtarë të Komisionit të vlerësimit të ofertave.

Zoti Ndreca u bë pjesë e parlamentit në janar të këtij viti, duke marrë mandatin e ndërprerë të ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, po ashtu nën disa akuza nga Prokuroria e Posaçme dhe i larguar nga vendi.

Atij ju besua roli i nënkryetarit të Komisionit hetimor për koncensionet në Shëndetësi, ku u dallua për përplasje të herëpashershme me drejtuesen demokrate Albana Vokshi.

Zoti Ndreca nuk ka bërë asnjë koment mbi rastin, sikundër nuk ka patur asnjë reagim as nga Partia socialiste apo grupi i saj parlamentar. Fundjavën e kaluar, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme u arrestua ish deputeti tjetër socialist Jurges Cyrbja, i cili vetëm pak ditë përpara arrestimit kishte dhënë dorëheqjen. Ai dyshohet për lidhje me elementë të rrezikshëm të botës së krimit e bashkëpunim me ta, duke i ndihmuar që t’i shpëtojnë ndjekjes së autoriteteve e duke përfituar mbështetjen e tyre për të marë vota.

Të hënën, po me urdhër të Prokurorisë së Posaçme u arrestua ish presidenti Ilir Meta. Ai dyshohet për korrupsion, pastrim parash, dhe fshehje të pasurisë. Hetimet përfshijnë katër episode të ndryshme. Për të njejtat akuza, ndaj ish bashkëshortes së tij, deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u dha masa e detyrimit për paraqitje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article