Deputetja e PD Ina Zhupa ka renditur disa arsye se përse Shqipëria është larg kritereve të BE-së për integrimin dhe zbatimin e MSA-së. “Së pari është miratuar një ligj i ri për zonat e mbrojtura, i cili në fakt i heq mbrojtjen këtyre zonave dhe hap rrugën e ndërtimit të komplekseve të vilave, hoteleve, resorteve etj”, thotë Zhupa.
Zhupa më tej shprehet se problem janë edhe menaxhimi i mbetjeve dhe ndotja, e gjithashtu kujdesi i gabuar dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore. Sipas Zhupës, edhe niveli arsimor në Shqipëri është në situatë alarmante, sipas vlerësimeve të bëra nga PISA.
Postimi i deputetes së PD Ina Zhupa:
Unë do ndalem në disa zhvillime të e përlargojnë Shqipërinë nga kriteret e BE dhe zbatimi i MSA
Së pari është miratuar një ligj i ri për zonat e mbrojtura, i cili në fakt i heq mbrojtjen këtyre zonave dhe hap rrugën e ndërtimit të komplekseve të vilave, hoteleve, resorteve etj. Ligji sjell pasoja degraduese në mjedis si dhe shkel nenit 108 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dispozitë e cila ireferohet “degradimit mjedisor”. ligji “nuk synon përafrimin e legjislacionit të BE-së”, por bën të kundërtën, ka efekt “përlargues” me legjislacionin e BE-së dhe Acquis communautaires, dispozita këto detyruese edhe për shtete si Shqipëria, që kanë ratifikuar MSA-në.
Kolegia Zake përmendi Aeroportin e Vlorës por nuk përmendi që po ndërtohet në zonë të mbrojtur. Dhe në progres raportet për Shqipërinë gjithmonë ngrehet si shqetësim dhe kërkohet ndërtimi në një zonë tjetër që nuk dëmton natyrën.
Ligji nr. 81/2017, i Zonave të Mbrojtura ishte hartuar në frymën e legjislacionit dhe parimeve Evropiane me asistencën e ekspertëve dhe deri në këtë moment nuk ishte paraqitur asnjë raport apo analizë studimore e cila dëshmonte vështirësitë e implementimit të ligjit apo probleme tëmundshme në terren. Pra dukshëm, nuk kishte asnjë arsye apo shqetësim real për të propozuar ndryshime drastike në këtë kuadër ligjor. E aq më pak, nuk ishte aspak e nevojshme që këto ndryshime të bëheshin pa konsultime me ekspertë dhe institucionet përgjegjëse vendase apo të huaja.
Ligji sjell pasoja të pakthyeshme për zonat e mbrojtura të këtij vendi, dhe në këtë mënyrë, cënon edhe të drejtat dhe interesat e brezave të ardhshëm. Dispozitat e Ligjit nr. 21/2024 cënojnë interesat dhe të drejtat e brezave të ardhshme për të trashëguar një mjedis dhe natyrë të pacënuar dhe relativisht të pandryshuar, sikurse brezi i sotëm trashëgon nga brezat e shkuar dhe të mbrojtur në mënyrë ligjore dhe territoriale nga ruajtja e integritetit të zonave të mbrojtura.. Më tej, solidariteti midis brezave, përbën një qëllim themelor edhe të Bashkimit Europian ku Shqipëria synon të integrohet. Karta e BE-së për të Drejtat Themelore përmban “referencën më të drejtpërdrejtë dhe më të qartë për brezat e ardhshëm në nivelin e legjislacionit parësor të BE-së”,duke patur parasysh se Karta ka fuqi detyruese për institucionet e BE-së.
Së dyti kriter i rëndësishëm mbetet Menaxhimi i Mbetjeve dhe ndotja. Në Shqipëri ka mungesë të një sistemi efektiv për menaxhimin e mbetjeve dhe në ndotjen e mjedisit, sidomos në bregdet dhe zona e mbrojtura. Ky problem është përmendur edhe në raportin e Bashkimit Evropian “Tourism in Albania: Sustainable Growth and Jobs” (2021), i cili vë në dukje ndikimin negativ të ndotjes në perceptimin e Shqipërisë si një destinacion i pastër dhe natyror. Në Shqipëri u harxhuan miliona euro dhe vazhdojnë harxhohen për futjen e metodës së incenerimit.. Në fakt asnjë incenetor nuk funksion as ai i Elbasanit, as u Fierit dhe ai i Tiranës as nuk ekziston dhe merr 80.000 euro cdo dite nga taksat e qytetarëve Një aferë 400 milion euro dhe problemi i mbetjeve është berë tashmë edhe problem i korrupsionit përvecse nuk është zgjidhur, ku shumë kanë shkuar në burg dhe të tjerë do të shkojnë. Bashkimi Europian nuk mbështet djegjen aq më tepër jo e jo “djegien e parasë publike” në vend të mbetjeve.
Nga ana tjetër kemi një problem të ri të menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme. 102 kontiner me mbetje të rrezikshme shkuan ilegalisht në Tajlandë nga Shqipëria dhe tashmë janë kapur dhe kthyer në portin e Durrësit. Askush nuk e di kush do jetë fati i tyre i mëtejshëm, si ishte rruga e tyre e daljes, a do të groposen në Shqipëri, cfarë bëhet me to apo me tjera që mund të prodhohen në Shqipëri. Qeveria nuk jep asnjë shpjegim dhe nuk mban asnjë përgjegjësi.
Së treti kujdesi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore
Në Shqipëri ndryshe nga çdo vend tjetër demokratik dhe që zbaton Konventën e Parisit, sitet e trashëgimisë kulturore, pasuri e mbrojtur Unesco si Butrinti është dhënë me koncension privatit. Ndryshe nga shembujt e fondacioneve italiane fjala vjen meqënesë kemi 5 eurodeputet italian, ku shteti krijon fondacione dhe ndihmohet nga privatet në këto fondancione, në Shqipëri privati merr pasurinë dhe dominon shtetit. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ], ka pranuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore përbën objektiv legjitim që shteti mund ta ndjekë kur ndërhyn në të drejtat individuale, sidomos në të drejtën për pronën të parashtruar në Nenin 1 të Protokollit 1.
Në Rezolutën që Bashkimi Europian ka miratuar për Shqipërinë në 19 Maj 2022, parashikohet ndër të tjera dhe thirrja për respektimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut, çështjeve të jashtme etj. Në lidhje me shtetin e të drejtës dhe të drejtave të njeriut në pikën 49 të kësaj Rezolute citohet se: “.. bën thirrje për një përfshirje kuptimplotë të shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara në debatin mbi planet apo vendimmarjet politike;”
Në dyja ligjet e sipërpërmendura ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe ligjin e koncesionit të Butrinit nuk ka përfshirje të shoqërisë civile dhe janë dy ligje tipike me porosi, e formës më të lartë të korrupsioni: korrupsionit legjislativ.
Së fundmi dua të shtoj dicka nisur nga fjala e eurodeputetit Gori që është i drejtë shqetësimi për arsimin në Shqipëri. Shqipëria doli e fundit në testin Pisa për arsimin parauniversitar. Ndërsa një zhvillim i paprecedent ka ndodhur dje në komisionin e edukimit dhe parashikohet të kaloj nesër në kuvend ku eshtë kaluar ligji që Kryeministri Rama do drejtoj këshillin e shkencën. Shkenca do drejtohet nga politika, nga kryeministri dhe ministrat. Nuk do gjeni asnjë vend demokratik ku kryeministri drejton shkencën. Kjo është larg standarteve europiane, dhe nuk gjendet si model në asnjë vend europian. Kjo ngjan më shumë me standardet e diktaturës komuniste, të cilës ne duhet ti largoheshim, jo të përafroheshim.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb