Shqipëria mbyll mandatin 2-vjeçar në KS të OKB-së

9 months ago 15
15:38 31/12/2023

Hasani: Rol aktiv për paqen në arenën ndërkombëtare

Në ditën e fundit të këtij viti, Shqipëria mbyll mandatin e saj 2-vjeçar si vend jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB. Në analizën që bën Ministri i Jashtëm Igli Hasani për 24 muajt që u ulëm për herë të parë në tryezën më të rëndësishme vendimmarrëse në glob, Shqipëria ka luajtur sipas tij një rol aktiv për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Shqipëria ka luajtur një rol dinjitoz, i cili është vlerësuar nga të gjithë, përfshirë miqtë dhe aleatët, si dhe nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare”.

Gjatë mandatit 2-vjeçar të Shqipërisë, çështja më nxehtë që dominoi diskutimet dhe vendimmarrjen e Këshillit të Sigurimit ishte ndërhyrja ruse në Ukrainë. E në këtë çështje Shqipëria ishte e linjëzuar me SHBA duke u bërë bashkëpenëmbajtëse për çdo dokument që shqyrtohej në këtë tryezë për Ukrainën, ndërsa përballë kishin Rusinë, një nga 5 vendet me mandat të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

“Ne bëmë pjesën tonë duke marrë përsipër më shumë përgjegjësi, edhe nëse kjo do të thoshte t’u dilnim përballë vendeve të mëdha dhe lojtarëve globalë. Për Ukrainën, si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara, ne mbrojtëm fort e me vendosmëri kauzën ukrainase,  sepse ajo ishte e drejtë, sepse ajo përfaqëson gjithçka të rëndësishme për ne”. 

Çështje të tjera që ishin në axhendën e këtij mandati të Shqipërisë lidheshin me avancimin e axhendës së grave për paqe dhe siguri apo respektimi i ligjeve ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut dhe llogaridhënies. Për ministrin Hasani kjo mundësi për të qenë gjatë këtyre dy viteve në këtë tryezë e ndihmoi Shqipërinë të jetë një zë i besueshëm duke ndikuar dhe në rritjen e profilit të saj në politikën e jashtme, çka forcon pozicionin si një aktor i rëndësishëm dhe aktiv  në rajon.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article