Shqipëria në pritje të marrëveshjes së ekstradimit me Dubain, Balla: Arrestimi i Julian Meçajt sinjal i mirë

8 months ago 7
14:44 09/02/2024

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte këtë të premte në Dibër, për analizën e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Kukës dhe Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit. Siç raporton gazetari Neki Feta, Balla theksoi se në analizë u prekën të gjitha rastet e ngjarjeve pa autor dhe masat që janë marrë për zbulueshmërinë e tyre.

Balla po ashtu komentoi edhe arrestimin në Dubai të Julian Meçajt, ish-anëtari i bandës së Durrësit i cili ishte në arrati prej më shumë se një viti (Lexo më shumë). Duke e cilësuar këtë një sinjal të mirë pas vizitës së tij në Arabinë Saudite, ministri u shpreh se Shqipëria është në pritje të një marrëveshje ekstradimi me Dubain, vend ku strehohen shumë nga të kërkuarit nga drejtësia jonë.

“Policia e Shtetit është e angazhuar që të zbulojë ngjarjet kriminale jo vetëm në çdo cep të territorit, por edhe në skajet më të largëta të globit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare. Rasti i fundit ku u arrestua në Dubai një person i shumë kërkuar, është një sinjal i mirë pas vizitës në Arabinë Saudite. Jemi në pritje të një marrëveshje të shumë pritur ekstradimi edhe me Dubain, ku strehohen shumë nga të kërkuarit e drejtësisë shqiptare”, tha Balla.

Ndërkohë, një tjetër temë për të cilën iu përgjigj interesit të gazetarëve ishte dhe fluksi i shtuar në pikën e kalimit kufitar të Bllatës, nëse do të ndërhyhet për uljen e këtij fluksi.

“Jemi në koordinim me palën maqedonase dhe së shpejti do të kemi veprime konkrete, arritjen e një marrëveshje për lehtësimin e kalimit edhe për Doganën e Bllatës. Për mendimin tim pas ndërtimit të Rrugës së Arbrit tashmë është një nga doganat e rëndësishme. Kjo edhe për të lehtësuar edhe Turizmin”, tha ministri.

Sipas asaj që raporton gazetari Feta, me hapjen e Rrugës së Arbrit, në pikën e kalimit kufitar të Bllatës, 6 mujorin e kaluar ka pasur një fluks të shtuar me rreth 50 mijë mjete dhe rreth 120 mijë pasagjerë më shumë./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article