Edhe 24 orë të tjera liri për Sali Berishën.
Dy avokatët e ish-kryeministrit ia dolën mbanë të sigurojnë kohë shtesë në gjykatën antikorrupsion, mbasi insistuan se duhet të njiheshin me provat që e bindën SPAK për të ashpërsuar qëndrimin.
Në një seancë me dyer të mbyllura, SPAK relatoi shkaqet se përse kërkon arrest shtëpiak, që është argumenti i mos bindjes së Berishës për të respektuar vendimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila kishte shpallur detyrim paraqitje. Si prova sollën procesverbalët e oficeres së policisë gjyqësore, që ka provuar mungesat e Berishës.
Gjyqtarja e shtyu seancën për të mërkurën. Ndërsa mbrojtja e Berishës thotë se kërkoi përjashtimin e Irena Gjokës për shkak të një vendimi nga KLD e 1996, që drejtohej nga presidenti i asaj kohe, Sali Berisha. Por ndonëse avokatët thonë se Gjoka është larguar nga detyra në atë kohë, KLGJ e sotme deklaron se gjyqtarja u rikthye në detyrë nga e njëjta KLD. Kritika tjetër e avokatëve shkon për SPAK.
“Ajo që unë dua të denoncoj, ndryshimi i masës është kërkuar me mbikëqyrje policore, e pambështetur në ligj, çka tregon qëllimin e SPAK jo për të bërë një proces të ligjshëm, pro për t’u hakmarrë. Është e paparashikueshme në ligj kërkesa që kanë bërë për SPAK”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Në orën 11, të mërkurën vijon takimi mes SPAK, avokatëve dhe gjykatës, që pasi të dëgjojë debatin do vendosë.
Por e mërkura e Berishës, është një ditë e rëndësishme për të gjitha palët e Partisë Demokratike. Jo vetëm për shkak të këtij procesi, por edhe për çështjen e shumëpritur në Gjykatën e Lartë, ku pritet vendimi për vulën. Rithemelimi i përfaqësuar nga zoti Berisha i kërkon Gjykatës së Lartë të zhbëjë vendimin e Gjykatës së Apelit. Deri tani, veç njoftimit se në dyert e Gjykatës së Lartë do të ketë protestë të thirrur nga Rithemelimi, nuk ka asnjë informacion sesi do të zhvillohet procesi i vulës. Por ligjërisht të gjitha opsionet janë të hapura.