Situata e zjarreve në Shqipëri, ja sa vatra vijojnë të jenë aktive

2 months ago 7

Gjatë 24 orëve të fundit, situata e zjarreve në vend ka shënuar një përmirësim të dukshëm, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar të strukturave operacionale të sistemit të Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Në një deklaratë zyrtare thuhet se nga 53 vatra zjarri të raportuara, 47 prej tyre janë shuar dhe vënë nën kontroll, ndërsa 6 vatra mbeten ende aktive dhe po monitorohen vazhdimisht nga ekipet tona në terren.

Aktualisht vijon të jenë aktive, por pa paraqitur rrezik për qytetarët dhe banesat, vatrat në Bjeshkët e Bollotekut dhe mbi fshatin Tërnovë.

Në operacionet e fundit, kanë marrë pjesë 307 forca zjarrfikëse, 130 forca ushtarake, 58 efektive nga polica e shtetit, 155 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 55 nga administrata e zonave të mbrojtura, 32 shërbimi pyjor, dhe 151 vullnetarë.

Gjithashtu, ndihma e avionit Spartan nga Rumania ka qenë e rëndësishme për izolimin e vatrave problematike.

“Në këtë periudhë të favorizuar nga temperaturat e larta, ftojmë të gjithë qytetarët dhe veçanërisht fermerët të shmangin kategorikisht ndezjen e zjarreve për çdo arsye dhe të raportojnë menjëherë çdo rast zjarri pranë autoriteteve përkatëse.

Theksojmë se ndezja e zjarreve përbën një vepër penale dhe ndëshkohet sipas ligjit.

Autorët e këtyre veprave do të mbajnë përgjegjësi të plotë për rrezikun që i shkaktojnë jetës së qytetarëve, pronës, mjedisit dhe vlerave tona kulturore.

Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, dhe të gjitha institucionet e përfshira në sistemin e mbrojtjes civile, do të vazhdojnë pa ndërprerje ndjekjen e situatës dhe angazhimin e të gjitha kapaciteteve të nevojshme, si në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar, për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, thuhet në deklaratë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article