Skandali me ultrasit, Çalhanoglu rrezikon skualifikimin

2 hours ago 19

Skandali i ultrasve në Itali, mund të rrezikojë karrierën e mesfushorit turk Hakan Çalhanoglu. Ylli i Interit mund të skualifikohet për një ose më shumë ndeshje pasi ka pranuar se ka pasur kontakte me kapoultrasit e “Curva Nord”, Marco Ferdico dhe Antonio Bellocco, pavarësisht se Interi e këshilloi që të mos e bënte këtë.

Përveç pezullimit, Çalhanoglu rrezikon edhe një gjobë prej 20 mijë eurosh. Gjithçka sillet rreth shkeljes së nenit 25 të Kodit të Drejtësisë Sportive dhe në veçanti paragrafit 10, sipas të cilit “ndalohet të kesh marrëdhënie me përfaqësues të grupeve të tifozëve që nuk janë pjesë e shoqatave të lidhura me klubet”.

Mesfushori turk ishte anëtari i tretë i Interit që dëshmoi si pjesë e hetimit për dy grupimet ultras të Interit dhe Milanit, pas trajnerit Simone Inzaghi dhe zv/presidentit Javier Zanetti, por edhe kapitenit të Milanit, Davide Calabria.

Para hetuesve, Çalhanoglu deklaroi se ai kishte pasur marrëdhënie me ultrasit vetëm “në baza personale” dhe “për mirënjohje”, duke mohuar se kishte marrë pjesë ndonjëherë në darka me ta dhe duke deklaruar se kishte zbuluar “kush ishte në të vërtetë vetëm Bellocco pasi pa fotografinë pas lajmit për vrasjen e tij”.

Askush nuk është i regjistruar në regjistrin e të dyshuarve, por të gjithë janë në rrezik me drejtësinë sportive, pasi ka një hetim paralel nga Prokuroria Federale e FIGC-së, e cila tashmë ka hapur një çështje dhe pret letrat nga gjyqtarët e Milanos.

Read Entire Article