Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj ka reaguar pas kërkesës së PD për verifikim të figurës së tij sipas ligjit të dekriminalizimit.
Përmes një reagimi në Facebook, ai i cilësoi akuzat si një “skenar të dobët shpifjesh të opozitës”.
Më tej, ai nënvizoi se është “ i hapur përballë çdo institucioni si KQZ, prokuroria, KLSH-ja, SPAK-u apo çdo organizëm tjetër, vendas dhe i huaj që të shqyrtojë çdo informacion në drejtim të tij.”
Reagimi i plotë:
Të dashur banorë të Malësisë së Madhe!
Sot, si shumica nga ju, edhe unë jam suprizuar nga një deklaratë nga zyrat e njërës prej PD- ve të shumta në qarkullim.
Nuk u habita shumë për vazhdimin e valsit të turpit të shpifjeve as ndaj meje, as institucionit që synojnë të ndotin dhe as Malësisë së Madhe që, bashkëmalësorë të mi, po japin prova prej vitesh që nuk e duan. Ose që interesat e tyre, i vendosin para interesit të malësorëve e Malësisë sonë.
U habita nga “skenari” i dobët, i shkruar apo i frymëzuar nga ndonjë pasdritare, “skenar” që nxjerr zbuluar edhe qëllimin për të cilin u sajua. Vitin që vjen, ka zgjedhje dhe Malësia e Madhe dhe malësorët, do të votojnë për qeverinë e tyre, sigurisht për të rikonfirmuar këtë mazhorancë dhe kryeministrin Edi Rama.
Kjo, bazuar në ato që janë bërë, bëhen e do të bëhen për trevën tonë, që nuk janë realizuar asnjëherë nga 1990 deri në 2015- ën.
Në nivel vendor të Malësisë së Madhe, armiku i njërës prej këtyre PD- ve, është Tonin Marinaj, i votbesuar tre herë radhazi nga malësorët me votë të palëkundur.
Të dashur malësorë,
Ju jam mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme këto vite, të cilën me mundësitë e aftësitë e mija, me mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, jam përpjekur dhe do të vazhdoj të përpiqem t’ua kthej me punë të mira, në shërbim të komunitetit dhe me përkushtimin tim maksimal.
Nuk do të kisha marrë mundimin t’ ju përgjigjesha nongratave që po përpiqen të krijojnë një “skenar” shpifjesh në Malësi të Madhe. Por e ndjej detyrim për të gjithë banorët e Malësisë së Madhe, votues ose jo të mijtë, detyrim për Partinë Socialiste, kryetarin dhe kryeministri Edi Rama, për bashkëpunëtorët e mi, për të afërmit, miqtë e të njohurit dhe sigurisht për familjen time të deklaroj:
Me neverinë dhe përbuzjen më të madhe hedh poshtë jo vetëm këtë “skenar” të turpshëm, të pabesueshëm e qesharak por çdo sulm e akuzë të fabrikuar ndaj personit tim, Bashkisë Malësi e Madhe dhe malësorëve të mi.
Jam i hapur përballë çdo institucioni si KQZ, prokuroria, KLSH-ja, SPAK-u apo çdo organizëm tjetër, vendas dhe i huaj që të shqyrtojë çdo informacion në drejtimin tim. Ofroj bashkëpunimin tim maksimal për t’i lehtësuar punën me një synim të vetëm: Të gjitha të vertetat të dalin në shesh dhe t’i mbyllet goja e shthurur e shpifjes çdo personi, qoftë ose jo anëtar apo drejtues i njërës prej PD- ve.
Në mbyllje, garantoj të gjithë shpikësit, shkruesit e materializuesit e këtij “skenari” të turpshëm, njëkohësisht siguroj të gjithë banorët e Malësisë së Madhe se vitin që vjen, të gjithë këtyre gojështhururve, do t’i japim përgjigjen e merituar, me votën tonë, si edhe herët e tjera.
Me respektin dhe përkushtimin maksimal për ju, si deri më sot dhe gjtihmonë,
Tonin MARINAJ
Kryetar i Bashkisë Malësi e Madhe
Më tej, Marinaj thekson se është “ i hapur përballë çdo institucioni si KQZ, prokuroria, KLSH-ja, SPAK-u apo çdo organizëm tjetër, vendas dhe i huaj që të shqyrtojë çdo informacion në drejtim të tij.”
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb