Skenat kaotike në Kuvend/ “Ne ndërtojmë, ata shkatërrojnë”, Rama: Përsërisin të njëjtën gjë me një shpresë prej budallai

1 month ago 27

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me skenat e kaosit që përfshinë ditën e sotme Parlamentin dhe ambientin jashtë tij.

Rama tregoi një foto të karrigeve që digjeshin para Kuvendit, duke thënë para kandidatëve të platformës “Deputeti Që Duam” se atë ia dërguan para se të takohej me ta.

Ai u shpreh se politika ka një fuqi ndërtuese, por edhe shkatërruese, duke theksuar se mes këtyre të dyjave qëndron diferenca mes kaheve të politikës në vend.

Rama u shpreh se teksa socialistët përpiqen të “ndërtojnë, shërojnë dhe mbjellin”, “ata nga ana tjetër shkatërrojnë, plagosin, shkulin dhe djegin”.

“Para se të vija këtu dikush më çoi këtë foto. Ky është një zjarr, një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë për t’u ulur aty dhe për të përfaqësuar ata që i çojnë atje, në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate.

Pse e solla këtu këtë imazh? E solla sepse dua të them pak fjalë për politikën, e cila prej shumë kohësh, jo vetëm këtu, kalon ditë jo të mira në perceptimin publik dhe në të vërtetë është një mjet që i ka bërë gjëra jashtëzakonisht të mëdha në historinë e njerëzimit, por edhe katastrofa të mëdha.

Refuzimi i politikës apriori si diçka e keqe, e pisët dhe me të cilën më e mira është të mos ngatërrohesh është foshnjarak. Është e pamundur të vendosësh ti se çfarë politika bën apo jo me ty. Nëse ti i kthen kurrizin, refuzon të merresh me të, ajo ka pushtetin të merret me ty.

Çdo gjë jashtë dyerve të shtëpisë, në një mënyrë apo tjetër lidhet me politikën dhe vendimet e saj. Qoftë jeta brenda apo jashtë shtëpisë, janë rezultat i politikës dhe sa politika është në gjendje të cilësinë e jetës sonë ta ngrejë më lart. .

Politika ka një fuqi ndërtuese të jashtëzakonshme. Politika ka fuqinë të djegë, të sakatojë ashtu siç ka fuqinë të bëjë mirë. Unë besoj se mes këtyre dy pamjeve, kuptohet jo absolute, qëndron edhe ndarja sot këtu te ne. Ne përpiqemi të ndërtojmë, shërojmë, të mbjellim dhe atyre që nga ana tjetër shkatërrojnë, plagosin, shkulin, djegin. Prej kaq shumë vitesh ata përsërisin të njëjtën gjë me një shpresë prej budallai dhe do vazhdojnë të përsërisin po këtë gjë dhe do marrin po këtë rezultat”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article