Sondazhi, amerikanët me më pak besim në procesin zgjedhor dhe partitë politike

10 months ago 9

Ndërsa po i afrohemi mbajtjes së zgjedhjeve paraprake për kandidatin republikan për president, shumë votues konservatorë nuk janë të sigurt se votat e tyre do të numërohen në mënyrë të drejtë, sipas një sondazhi të ri të agjencisë së lajmeve Associated Press dhe qendrës NORC e cila merret me hulumtimin e çështjeve publike.

Sondazhi thotë se pesimizmi për të ardhmen e të dy partive, Demokrate dhe Republikane, po rritet.

Rreth një e treta e republikanëve thonë se kanë “shumë” apo “jo pak” besim se votat në zgjedhjet paraprake brenda partisë së tyre do të numërohen saktë. Rreth tre në 10 republikanë kanë një sasi “të moderuar” besimi dhe 32% thonë se kanë “vetëm pak” ose “aspak” besim në procesin zgjedhor partiak. Në anën tjetër, 72% e demokratëve kanë besim të lartë se partia e tyre do t’i numërojë saktë votat në garat paraprake. Demokratët gjithashtu kanë më tepër besim se vet republikanët që numërimi brenda partisë konservatore të jetë i saktë.

Republikanët vazhdojnë të shohin me dyshim numërimin e votave – si në garat brenda partiake dhe ato me kundërshtarët politikë. Rreth një e katërta e republikanëve thonë se kanë “pak” besim se votat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 do të numërohen me saktësi, dukshëm më pak se demokratët. Në përgjithësi, pothuajse gjysma e të rriturve amerikanë (46%) besojnë të njëjtën gjë, gjë që është në përputhje me një sondazh tjetër Associated Press dhe NORC të kryer në muajin qershor.

Skepticizmi midis republikanëve vjen pas akuzave që po vazhdojnë prej viotesh nga ish-presidentit Donald Trump i cili, pa ofruar prova, fajëson atë që ai e quan, mashtrim i zgjedhjeve për humbjen e tij në vitin 2020. Zyrtarët e zgjedhjeve federale dhe shtetërore dhe vetë prokurori i përgjithshëm i emëruar nga ish Presidenti Trump kanë thënë se nuk ka asnjë provë të besueshme që zgjedhjet ishin të manipuluara. Akuzat e ish-presidentit për mashtrim u refuzuan gjithashtu nga gjykatat, duke përfshirë edhe nga gjyqtarët e emëruar nga vetë zoti Trump.

“Asgjë nuk do të jetë e drejtë sepse zgjedhjet e fundit u manipuluan”, tha 32 vjeçarja Julie Duggan nga Çikago, votuese e zotit Trump, duke iu referuar vitit 2020. “Unë nuk i besoj asnjërit prej tyre në këtë pikë”.

Sondazhi zbuloi gjithashtu mungesë të gjerë besimi në të dyja partitë kryesore politike midis të rriturve në SHBA në përgjithësi. Rreth një e katërta e të rriturve amerikanë thonë se kanë “vetëm pak” ose “aspak” besim se Partia Demokratike apo Partia Republikane kanë një proces të drejtë për zgjedhjen e një kandidati presidencial.

Pothuajse gjysma e të rriturve në SHBA, apo 46% e të anketuarve, thonë se janë pesimistë për mënyrën se si zgjidhen udhëheqësit e vendit. Një shifër e ngjashme janë pesimistë për të ardhmen e Partisë Republikane. Këtu përfshihen një e treta e republikanëve dhe 45% e të pavarurve. Sondazhi zbuloi se 45% e të rriturve amerikanë janë pesimistë për të ardhmen e Partisë Demokratike, duke përfshirë rreth një të katërtën e demokratëve dhe 41% të të pavarurve.

“(Jam i pakënaqur nga) Mënyra se si po i shpenzojnë paratë tona, duke i dërguar në të gjithë botën dhe duke mos mbrojtur njerëzit tanë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Gary Jackson, një shofer kamioni 65-vjeçar në pension dhe votues republikan në shtetin e Ajdëhos. “Për momentin, nuk jam i kënaqur nga asnjëra palë”.

Christine Allen, votuese e pavarur në shtetin e Merilendit, e sheh guvernatorin e fundit të shtetit të saj, Larry Hogan, një republikan të moderuar, si model për vendin. Zoti Hogan nuk pranoi të përfshihet në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane, zgjedhje këto që zonja Allen i sheh si simbolike, sesi sistemi dypartiak amerikan i pengon udhëheqësit e talentuar të mbajnë poste.

“Të gjithë tani sillen si një tufë fëmijësh, derisa të arrijnë të gjejnë veten”, thotë 44 vjeçarja Allen. “Të gjithë kanë faj. Nuk ka fitues.” Megjithatë, zonja Allen mendon se zgjedhjet paraprake do të jenë të drejta. “Ato janë më të drejta se Kolegji Zgjedhor (që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale)”, tha ajo.

Edhe ata që identifikohen si votues të njërës, apo të partisë tjetër, janë të shqetësuar se kë do të propozojnë si kandidat për president organizatat e tyre politike. Një sondazh i fundit i Associated Press dhe NORC zbuloi se demokratët dhe republikanët nuk janë gjithashtu të sigurt se garat kryesore të partisë së tyre do të rezultojnë me një kandidat që mund të fitojë zgjedhjet e përgjithshme në nëntor. Për më tepër, ka disa dyshime nga të dyja palët se kandidatët jo kryesorë do të përfaqësojnë pikëpamjet e partisë së tyre, ose të amerikanëve në përgjithësi.

Vetëm tre nga 10 demokratë thonë se janë të bindur se procesi i partisë Demokratike do të rezultojë me një kandidat, pikëpamjet e të cilit përfaqësojnë shumicën e amerikanëve. Rreth një e katërta e demokratëve besojnë se procesi do të prodhojë një kandidat, pikëpamjet e të cilit përfaqësojnë qëndrimet e tyre. Ngjashëm me demokratët, vetëm tre në 10 republikanë thonë se procesi i partisë së tyre do të prodhojë një kandidat që përfaqëson shumicën e amerikanëve. Po aq republikanë besojnë se atyre do t’u ofrohet një kandidat, pikëpamjet e të cilit përfaqësojnë qëndrimet e tyre konservatore.

Mark Richards, mësues 33-vjeçar i shkollës së mesme në Toledo të Ohajos, dhe votues i demokratëve, tha se pret që presidenti Joe Biden të emërohet sërish nga partia, pavarësisht nga përkrahja e ulët që ka sipas sondazheve të fundit.

“Besoj se mund të ketë kandidat më të mirë se ai, por nuk mendoj se një demokrat tjetër do të rrëzojë Joe Bidenin”, tha zoti Richards. Megjithëse zoti Richards mendon se zgjedhjet paraprake do të jenë të drejta dhe votat do të numërohen me saktësi, ai e sheh sistemin e emërimit si në thelb të metë. “Ka të bëjë me paratë, kush mund të marrë më shumë para nga mbështetësit politikë” tha ai, duke iu referuar grupeve politike që dhurojnë para për kandidatët, ose shpenzojnë miliona dollarë në emër të tyre.

Sondazhi me 1074 të rritur u krye nga 30 nëntori deri më 4 dhjetor, 2023. Niveli i gabimit është plus ose minus 4 përqind./VOA

Top Channel

Read Entire Article