Sot mblidhet Kuvendi, opozita paralajmëron sërish betejë

11 months ago 6
09:06 09/11/2023

Kuvendi pritet që të zhvillojë këtë të enjte seancën e radhës parlamentare. Në rendin e ditës të publikuar në faqen zyrtare të parlamentit janë për diskutim një sërë çështjesh. Ndër to janë projektligji për Kodin Penal, projektligji për koncesionet dhe partneritetin publik privat, për prokurorimin publik etj.

Nuk dihet nëse seanca e sotme do të zhvillohet normalisht. Prej disa javësh, opozita ka bllokuar punimet e saj. Kujtojmë që javën e kaluar ata vendosën pranë foltores karriget e deputetëve të mazhorancës dhe ndezën tymuese gjatë seancës.

Po ashtu, edhe gjatë punës së komisioneve parlamentare nuk ka vijuar puna normalisht, pasi janë penguar nga deputetët e PD-së. Ata kërkojnë ngritjen e disa komisioneve hetimore.

Përveçse kanë treguar se do të vijojnë betejën e tyre, demokratët shprehen se janë të gatshëm të përshkallëzojnë masat e tyre.

“Janë të vendosur të shkojnë drejt grevës së urisë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre”, tha një ditë më parë gjatë një konference për shtyp ish-kryeministri Sali Berisha.  

Megjithatë për të parë se si do të shkojë seanca e sotme duhet të presim orën 10:00 që nis Kuvendi./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article