Sot seanca e rëndësishme në Kuvend: A do e lejojë opozita miratimin e projektbuxhetit të 2024-ës?

10 months ago 6
09:01 20/11/2023

Këtë të Hënë do të diskutohet në Parlament projektbuxheti i vitit të ardhshëm, i  cili për herë të parë kap një vlerë prej 7 miliardë Eurosh. Seanca është planifikuar të nisë në orën 10:00 dhe në bazë të rendit të ditës, pritet të miratohen dhe disa projektligje të tjera:

-Projektligji për disa ndryshime në ligjin për akcizat

-Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për procedurat tatimore

-Projektligji për disa ndryshime në ligjin për taksat kombëtare

-Projektligji për disa shtesa në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar

Janë parashikuar dhe diskutime për çështjet e mësipërme, por duke marrë parasysh deklaratën e para 3 ditëve të kryedemokratit Sali Berisha, gjasat që punimet e Parlamentit të zhvillohen në kushte normale janë të ulëta.

Kujtojmë se thuajse prej një muaji, ka pasur tensione në sallën e Kuvendit ku deputetët e opozitës pretendojnë se mazhoranca nuk po i lejon të kenë përfaqësimin e tyre në Komisionin për Reformën Zgjedhore, e nga ana tjetër sipas tyre, po pengohen në krijimin e komisioneve të tjera hetimore.

Berisha deklaroi të Premten se “do i bëjë gjyqin publik Edi Ramës” dhe se “opozita nuk do të heqë dorë nga kërkesa për ngritjen e këtyre komisioneve”. Ai ka paralajmëruar po ashtu qëndresë të fuqishme, për të drejtat kushtetuese të popullit opozitar në parlament.

Vazhdimi i betejës së opozitës në Parlament është pa kthim”, theksoi ai.

Përpos “skenarit të bllokimit të seancës nga opozita”, kjo seancë është mjaft e rëndësishme dhe zakonisht në vitet e shkuara ka zgjatur me dhjetëra orë, ku çdo deputet ka shprehur mendimin e tij nga foltorja.

Projektbuxheti për vitin 2024 u miratua në parim në Komisionin e Ekonomisë me vetëm 1 votë kundër, nga deputeti i PD, Edmond Spaho. 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike do të shkojnë për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike dhe çështje të tjera sociale. Prioritet ka arsimi, shëndetësia, turizmi, bujqësia, infrastuktura dhe energjia. Investimet publike do të marrin pjesën më të madhe të financimit, 128.5 miliardë Lekë./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article