SPAK hap një tjetër çështje ndaj Arben Ahmetajt

1 year ago 33
15:14 08/10/2023

Akuzohet për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës

Ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve, është vënë sërish në hetim nga SPAK për një tjetër dosje për të cilën është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës”.

Bëhet fjalë për dosjen e privatizimit të ish-fabrikës së Bukës në rrugën 5 Maji në kryeqytet, procesi i të cilës është realizuar në kohën kur Ahmetaj ka qenë ministër i Financave.

Tv Klan ka mësuar se ndonëse akuza për ish-zëvendës kryeministrin është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”, ky procedim po hetohet edhe për vepra të tjera penale.

Nga sa mësohet, krahas Ahmetajt deri tani në hetim janë vënë 8 persona të tjerë ish-zyrtarë dhe jo vetëm, si dhe një subjekt.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se ish-zëvendës kryeministri ka dyshime se ka favorizuar në ankand kompaninë fituese për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës, në të cilën sot është ndërtuar një qendër tregtare.

Dëmi ekonomik i përllogaritur lidhur me këtë procedurë privatizimi arrin në vlerën 7 miliard lekëve të vjetra.

Hetimet e SPAK, që vunë sërish nën akuzë ish-zëvendës kryeministrin nisën në bazë të kallëzimit të trashëgimtarëve të truallit të cilët kanë fituar të drejtën e rikthimit të tij.

Ish-numri 2 i qeverisë, u shpall në kërkim ndërkombëtar në Korrik 2023 për çështjen e inceneratorëve. Ai akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 6 raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në kuadër po të këtij hetimi për të cilin ai është shpallur në kërkim, SPAK i sekuestroi ish-zëvendës kryeministrit 4 apartamente në pronësi të tij si dhe 2 llogari bankare në të cilat kishte të depozituar rreth 124 mijë Euro.

Klan News





Të ngjashme

Read Entire Article