Sot në orën 12:00 mblidhet Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha.
Në të njëjtën ditë është edhe data e paraqitjes së Berishës para oficerit të policisë gjyqësore, vendim të cilin e ka refuzuar tre herë.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, më 12 dhjetor SPAK argumenton se ish-kryeministri nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.
Disa ditë më parë, gazetarja Anila Hoxha, raportoi se pretendimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, se SPAK duhet të merrte autorizim nga Kuvendi, për masën e sigurisë ndaj tij, është çmuar i pabazuar në prova.
Në vendimin e zbardhur nga Gjykata e Apelit, që Top Channel e disponon ekskluzivisht, gjykata kujton ndryshimet kushtetuese të 2012-ës, për mburojën apo imunitetin e deputetëve dhe konceptin e paprekshmërisë, që në rastin e Berishës nuk është shkelur as nga SPAK dhe as nga shkalla e parë. Gjykata e Apelit shpjegon se masa e detyrimit me paraqitje, shpallur për Berishën, është një fuqi shtrënguese që nuk heq lirinë personale apo fizike të ankuesit Sali Berisha, por vetëm lirinë e lëvizjes së tij jashtë shtetit.
Top Channel