Në mesditë, Grupi Parlamentar i PD-së do të përcaktojë strategjinë që do të ndjekin deputetët demokratë gjatë seancës së ditës së enjte.
Gazetari i News24, Osman Stafa, tha se mbledhja e Grupit Parlamentar do të drejtohet nga Gazment Bardhi dhe pritet që të përcaktohet strategjia që do të ndiqet.
Sipas gazetarit, ajo që dihet deri më tani, është se Kuvendi nuk do të ketë normalitet në veprimtarinë e tij.
Pasditen e sotme Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë pritet të vendosë mbi masat ndaj deputetëve që janë evidentuar që kanë shkelur Rregulloren e Kuvendit, duke bllokuar seancën e javës së kaluar. Grupi Parlamentar socialist kërkon përjashtimin e 24 deputetëve, ndërkohë që i mbetet Komisionit të Etikës të japë një vendim se sa deputetë do të ndëshkohen me masa disiplinore dhe sa kohë nuk do të lejohen të jenë pjesë e punimeve të Parlamentit.
Por gazetari Stafa tha se më parë, Grupi Parlamentar demokrat nuk ka njohur shumë nga vendimet e Komisionit të Etikës, çka është pasuar më pas me përplasjet mes deputetëve dhe efektivëve të Gardës që janë të angazhuar me sigurinë e Kuvendit.
Lidhur me protestën e 7 tetorit, Stafa tha se strukturat e PD-së janë udhëzuar që të punojnë në terren, në mënyrë që të sigurohet një pjesëmarrje sa më e madhe e qytetarëve. Vëmendja duket se është përqëndruar në “thithjen” e qytetarëve të paangazhuar, ose atyre që konsideron si pa parti, në një protestë, e cila është kundërpërgjigjia e parë që opozita i bën mazhorancës pas burgosjes së Ervin Salianjit.
Protesta, sipas disa skenarëve, nuk do të jetë thjesht një tubim para Kryeministrisë, por do të synojë bllokimin e akseve apo arterieve kryesore në qarkullim, duke synuar në këtë mënyrë të paralizojë Tiranën.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb