“Strike 15”/ Qarkullonte me armë zjarri në makinë, arrestohet 45-vjeçari në Vlorë

4 months ago 12

Policia në Vlorë, në kuadër të operacionit “Strike 15”, ka arrestuar një 45-vjeçar, pasi u kap me armë zjarri në makinë. Sipas efektivëve të qytetit bregdetar, është sekuestruar një pistoletë me krehër dhe municion luftarak.

“Vlorë/Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, goditet brenda 48 orësh një tjetër rast i mbajtjes së armëve pa leje në qytetin e Vlorës.

Qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 45-vjeçari.

Finalizohet nga Forca e Posaçme Shqiponja në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, operacioni policor i koduar “Strike 15”.

Policia sekuestroi 1 armë zjarri pistoletë, me krehër dhe municion luftarak.

Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur, në rrugën Sazani, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 15”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– A. H., 45 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Benz”, me të cilin lëvizte 45-vjeçari, dhe kanë ushtruar kontroll, gjatë të cilit, në pjesën e poshtme të sediljes së shoferit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak si dhe një shumë parash.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article