Suedia duhet t’i bashkohet NATO-s së shpejti për të shmangur kërcënimin rus, thotë ministri i Mbrojtjes i këtij vendi

10 months ago 38

Suedia duhet të bëhet anëtare e aleancës ushtarake të NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur për të shmangur kërcënimin nga Rusia, ka thënë ministri i mbrojtjes së vendit.

Suedia paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në NATO në maj të vitit 2022, në të njëjtën kohë me Finlandën.

Finlanda u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s në fillim të këtij viti, ndërsa Suedia ende është duke pritur miratimin e Turqisë dhe Hungarisë, si dy anëtarët e mbetur për të ratifikuar anëtarësimin e saj.

Sipas ministrit të mbrojtjes Pal Jonson, Suedia i kishte ofruar NATO-s “thellësi më të mira strategjike dhe burime të rëndësishme ushtarake”.

Por për anëtarësimin e saj ende ka paqartësi të mëdha.

Kjo për faktin se Hungaria javën e kaluar tha se ende nuk ishte gati të ratifikonte vendimin për Suedinë, ndërsa Turqia deklaroi se ende nuk ka verdikt përfundimtar, përcjell Telegrafi.

Pavarësisht vonesave për anëtarësim, Suedia është e sigurt se do të jenë aleatë të NATO-s.

“Ne jemi më të sigurt tani sesa ishim para se të kërkonim anëtarësimin në NATO përmes garancive për siguri që kemi marrë nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe vendet e tjera nordike”, tha Jonson.

Ai shtoi se Finlanda ka mbetur partneri më i afërt politik i Suedisë në siguri dhe mbrojtje.

Komentet e tij erdhën në prag të një samiti dy-ditor të ministrave të mbrojtjes nga të gjithë shtetet nordike dhe baltike në Stokholm, si pjesë e Bashkëpunimit të Mbrojtjes Nordike.

Duke e përshkruar takimin si “historik”, Jonson tha se ky takim shënon herën e parë që ministrat e mbrojtjes nga dy rajone mblidhen dhe bisedojnë rreth zgjidhjeve të sigurisë për kohë paqeje, krize dhe lufte.

Në agjendën e temave do të përfshihen politika e mbrojtjes dhe sigurisë, bashkëpunimi për mbrojtje, infrastruktura kritike dhe mbështetja për Ukrainë. /Telegrafi/

Read Entire Article