Maersk Gibraltar, fotografuar në Spanjë në fillim të këtij viti. Sky News
Dy anije mallrash në Detin e Kuq janë sulmuar me raketa dhe dronë nga rebelët Houthi të Jemenit
Një anije u godit nga një dron, ndërsa një tjetër nga raketat, të dyja të lëshuara nga një pjesë e Jemenit që kontrollohet nga Houthi, lëvizja rebele e mbështetur nga Irani.
Ato u sulmuan në Bab El Mandab, një ngushticë e vogël e cila është jetike për tregtinë globale.
Ky ishte sulmi më i fundit ndaj anijeve të huaja në këtë zonë prej nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Houthi është deklaruar si mbështetës i Hamasit dhe thotë se po sulmon anijet që udhëtojnë drejt Izraelit.
“Ne jemi të vetëdijshëm se diçka që u lëshua nga një rajon i Jemenit i kontrolluar nga Houthi, goditi një anije që u dëmtua, dhe u raportua për një zjarr”, tha një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve AFP të premten.
Më vonë një zyrtar amerikan i Mbrojtjes tha se një raketë balistike goditi një anije tjetër në Bab El Mandab. Ajo shkaktoi zjarr dhe një zjarrfikës i marinës amerikane u nis për të shuar zjarrin, sipas tij.
Dy nga kompanitë më të mëdha të transportit në botë kanë pezulluar të gjitha udhëtimet nëpër Detin e Kuq pas sulmeve të fundit.
Gjigandi danez “Maersk” tha se do të pezullonte të gjitha dërgesat me kontejnerë.
Ndërkohë, kompania gjermane “Hapag-Lloyd” tha se gjithashtu po ndalonte lundrimet deri të paktën të hënën pasi një nga anijet e saj u shënjestrua të premten, sipas Sky News.
Top Channel