Sylvinho: Duhet synuar kualifikimi në Europian

10 months ago 7
15:42 29/11/2023

“Kushte shumë të mira për të punuar, FSHF ka projektuar sukseset kuqezi”

Jehona e kualifikimit të kombëtares shqiptare për herë të dytë në kampionatin Europian vijon në mediat botërore. Kuqezinjtë kanë befasuar jo pak, pasi arritën që të bënin mirë në një grup ku favorit konsideroheshin, Republika Çeke dhe Polonia.

Por, duket se kualifikimi në Euro2024 nuk është aspak rastësi dhe këtë e ka zbuluar trajneri, Sylvinho në një intervistë për mediat italiane. Tekniku kuqezi tha se mbështetja e madhe e tifozëve në këtë edicion ishte fantastike, ndërsa vlerësoi maksimalisht kushtet e krijuara nga FSHF, ku tregoi se gjithçka ishte në nivelin e duhur.

“Shumë minuta stres në ndeshjen ndaj Moldavisë, por në fund hodha pas të gjithë ankthin që kisha brenda, ishte diçka e bukur. Ne kemi pasur mbështetje fantastike nga tifozët tanë në çdo ndeshje. Në ndeshjen ndaj Çekisë në transfertë për shembull ishte çmenduri. Në Pragë kishte shumë tifozë shqiptarë në një ndeshje transferte dhe kjo u ndje shumë. Është diçka fantastike, një ndjesi e mrekullueshme. Kushtet që na ka ofruar FSHF janë shumë të mira. Me këto kushte futbolli në Shqipëri po zhvillohet shumë mirë. Edhe Federata Shqiptare e Futbollit është rritur shumë ndër vite në çdo aspekt. Nga këtu niset gjithçka, punohet shumë me një staf të madh njerëzish të cilët mendojnë dhe punojnë çdo ditë për zhvillimin e futbollit shqiptar dhe kjo është diçka e bukur”.

Përsa i përket të ardhmes Silvinjo pranoi se Shqipëria duhet të mësohet të luaj në Europian, ndërsa shtoi se duhet të synohet edhe kualifikimi në Botëror.

“Duhet të mësohemi të luajmë në Europian, duhet të kualifikohemi edhe në Kupën e Botës, pastaj të shkojmë sërish në Europian. Nuk mund të ndalemi me kaq, nuk mund të mendojmë vetëm për kualifikimin në grupet e Europianit. Mund të kualifikohemi dhe të shkojmë në raundin e 1/16-ve e më pas në çerekfinale, është shumë gjë e mirë, në fakt është e bukur. Por për mendimin tim ka më shumë rëndësi projekti për të ardhmen. Duhet të rritemi më shumë dhe të mësohemi që të shkojmë sërish në Europian dhe në edicionin e radhës të kualifikohemi në Kupën e Botës”.

Kombëtarja shqiptare do të mësojë rivalët e turneut gjerman në shortin e 2 Dhjetorit, që do të transmetohet LIVE në televizionin kombëtar “Klan”.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article