Menjëherë pas zbardhjes së vendimit që rrëzoi taksimin për “Profesionistët e Lirë” deputetja demokrate, Jorida Tabaku, një nga kundërshtueset që e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim, ka postuar në rrjetet sociale një video ku analizon vendimin e Gjykatës dhe gjithashtu i fton profesionistët e lirë të bashkohen me PD për të rrëzuar një sistem të pandershëm taksimi.
Sipas deputetes së PD, Tabaku, që njëkohësisht është anëtare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese është një dëshmi se kur njerëzit bashkohen mund të realizojnë edhe të pamundurën.
Gjithashtu Tabaku u shpreh se ajo dhe PD do të jenë përherë pranë profesionistëve të lirë në betejën e tyre kundër një qeverie që takson pandershmërisht mendjen dhe punën e tyre.
Tabaku u shpreh se 30 mijë profesionistët e lirë paguajnë përherë taksat dhe sjellja e qeverisë është dëshmi e mungesës së parimit të barazisë. Ne mund të bëjmë më shumë, shkruan Tabaku në faqen e saj në rrjetet sociale ndërsa poston videon e saj të shkurtër, së bashku, ne mund të rrëzojmë këtë sistem të padrejtë për një sistem taksimi të ndershëm dhe që promovon dijen, punën dhe shpirtin sipërmarrës.
Mesazhet e Tabakut
Ne mund të fitojmë shumë. Shtresa e mesme sot është shtresa më e mbitaksuar në Shqipëri , është shtresa që punon më shumë dhe tatohet më shumë dhe që paguan gjithjë, drejtësisht taksat dhe për këtë arsye ato mbingarkohen.Sot 95% e shqiptarëve paguan taksa më të larta dhe më shumë se të gjitha mbingarkohet ajo shtresë që prodhon mendimin.
Ne duhet të jemi në mbështetje të punës, ne duhet të jemi në mbështetje të njerëzve të punës,ne duhet të jemi në mbështetje të njerëzve që kontribuojnë në ekonomi dhe në shoqëri e sa herë që bëhet fjalë për beteja të tilla unë do të jem me të gjithë profesionistët e lirë ashtu sic dhe grupi parlamentar ishte kësaj rradhe.
Kësaj rradhe vumë një tullë të vogël në sistemin e padrejtë të taksave,herës tjetër akoma më shumë. Kjo tregoi se kur jemi bashkë kemi fuqi dhe mund ta ndryshojmë këtë sistem.
💪 Prova e zjarrit në Gjykatën Kushtetuese për taksimin antikushtetues ndaj profesioneve të lira tregoi se vullneti dhe qëllimi i përbashkët për të rrëzuar një sistem të padrejtë ka rezultat.
📄Me këtë vendim, të zbardhur sot, ne kemi rrëzuar së bashku një nga tullat e sistemit të pandershëm që është sot një nga shtyllat kryesore të një ekonomie që pasuron një pakicë dhe varfëron dhe shtyp një shumicë të heshtur që punon dhe meriton të respektohet.
🤝Ne mund të bëjmë më shumë! Së bashku, ne mund të rrëzojmë këtë sistem të padrejtë për një sistem taksimi të ndershëm dhe që promovon dijen, punën dhe shpirtin sipërmarrës.
Patjetër që mund t’ia dalim! ✌️
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb