Ndërkombëtarët po e shfaqin përherë e më shumë lodhjen me moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit nga Kosova e Serbia.
Zyrtarë të Bashkimit Europian pohojnë se në takimin e sotëm në kryeqytetin belg në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi dhe atij serb, Petar Petkovic, do të ketë presion nga blloku për zbatimin më në fund të ujdisë me të cilën të dyja palët janë pajtuar, edhe pse pa firmosur. Pjesë e bisedimeve do të jetë edhe çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovës. Autoritetet ndërkombëtare i kanë kërkuar Prishtinës ta pezullojë rregulloren që ndalon dinarin, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur kryesisht serbë që të përshtaten me praktikën e re.
Më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pohoi se “çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje”. Sipas saj, “deri tani ka pajtim për një pjesë të propozimit, nga ajo që jam informuar dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër të propozimit. Është shume pozitive që komuniteti ndërkombëtar, në krye me SHBA-në, pajtohen që të mos ketë qarkullim të dinarit më në Kosovë. Edhe me ndihmën e tyre kemi arritur që tani e tutje edhe ato kërkesa dhe ato ndihma financiare që vijnë nga Serbia të arrijnë në euro dhe jo në dinar.
Kjo e zgjidh një pjesë të madhe të problemit. Tani, me ndihmën e SHBA-së kemi arritur që, siç kemi deklaruar edhe me herët, për zbatimin e plotë të Kushtetueses edhe në praktikë na duhen aleatë.”, deklaroi ajo. Pavarësisht pritshmërisë, takimi i përbashkët trepalësh në Bruksel nuk është ende e sigurt se do të ndodhë.
Top Channel