Në takimin e 10-të Rajonal Koordinues, për Zbatimin e Udhërrëfyesit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Ballkanin Perëndimor, u diskutua për luftën kundër dhunës dhe dënimin e saj.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se Shqipëria është e vendosur në dënimin e dhunës, ku me krenari mbështet iniciativat e sigurisë në nivel rajonal e më gjerë.
Sipas ministrit, Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të mëdha drejt paqes dhe stabilitetit në vitet e fundit, edhe pse abuzimi me armët e vogla dhe të lehta kërcënon këto përpjekje dhe rrezikon progresin e arritur me mund të madh.
Ministria e Brendshme u prezantoi Paketën e Re të Sigurisë Publike në Shkolla, duke përforcuar kufizimet brenda perimetrit të sigurisë dhe duke përfshirë rregullat për posedimin e armëve të zjarrit në afërsi të zonave shkollore.
Në takim u fol edhe për bashkëpunimet apo marrëveshjet me vendet e rajonit dhe BE-në, për luftimin e krimeve të lidhura me armët e zjarrit. Një ndër këto marrëveshje është edhe ajo me Francën, për shkëmbimin e të dhënave balistike, apo dhurimi i pajisjeve moderne nga Gjermania për Departamentin e Kufirit dhe Migracionit.
Top Channel