Taksa për profesionet e lira, Tabaku: Pas vendimit të Kushtetueses, Qeveria të rimbursojë paratë e marra padrejtësisht

1 month ago 25

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një video në rrjetet e saj sociale duke komentuar mbi çështjen e taksimit të profesionistëve të lirë.

Tabaku, e cila ka ndjekur nga afër këtë çështje derisa u vulos me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shpalli taksimin e vendosur nga qeveria si antikushtetues, ka kritikuar Ministrinë e Financave për mungesën e vullnetit politik për të zbatuar vendimin dhe për të rimbursuar profesionistët e lirë që tashmë janë prekur nga ky taksim i padrejtë.

Ajo theksoi se këto para u takojnë ligjërisht profesionistëve dhe u bëri thirrje autoriteteve që të mos e banalizojnë më tej këtë çështje.

“Sot të gjithë shqiptarët e dinë se taksa e profesionistëve të lirë ishte antikushtetuese dhe e padrejtë”, deklaroi Tabaku, duke kërkuar një zbatim të plotë të vendimit të Gjykatës dhe një rimbursim të menjëhershëm për ata që janë prekur.

Ajo shprehet se ky vendim përbën një fitore për profesionistët e lirë dhe përpjekjet e tyre për drejtësi, ndërsa shpreh vendosmërinë për ta çuar këtë betejë deri në fund, duke siguruar që të gjithë të prekurit të marrin rimbursimin që u takon.

“Gjykata Kushtetuese e vulosi çështjen e profesioneve të lira duke marrë kërkesën e Ministrisë së Financave dhe duke mos e trajtuar fare. Këto diskutimet e Qeverisë shqiptare pa pikë serioziteti, më the, të thashë, do ja çojmë Gjykatës Kushtetuse për ta trajtuar sikur të jetë Gjykata Kushtetuese një drejtori varësie juridike e Ministrisë së Financave morën fund.

Tashmë kemi një vendim të qartë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur që taksa e profesioneve të lira është antikushtetuese dhe e pandershme. Ministria e Financave duhet thjesht të ketë vullnetin politik që ta zbatojë atë. Nuk dinë sesi ta bëjnë? Kemi dorëzuar një propozim ligjor që merr parasysh që çdo profesionist i lirë i cili ka paguar tatimin që tashmë nuk është më në fuqi, duhet patjetër që të jetë një rimbursim. Nëqoftëse kanë vullnetin politik për ta bërë, atëherë ta bëjnë.

Të mos e banalizojnë më shumë këtë cështje, të mos e kthejmë shtetin edhe në një shtet qesharak që nuk është i aftë të kuptojë dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese e jo më ta zbatojë atë.Sot të gjithë shqiptarët e dinë se taksa e profesioneve të lira ishte antikushtetuese dhe e padrejtë. Ishte një betejë që ne të gjithë bashkë e fituam, tashmë duhet që ta çojmë këtë betejë deri në fund duke rimbursuar çdo para që është paguar nga këto profesionistë të lirë”, shprehet Tabaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article