Tanket izraelite rrethojnë jugun e Gazës

10 months ago 41
22:08 04/12/2023

Sipas OKB-së rreth 60% e 2.3 milion banorëve të Gazës janë larguar nga shtëpitë

Trupat dhe tanket izraelite kanë rrethuar tani Khan Younis-in në jug të Rripit të Gazës dhe civilët nuk kanë ndonjë vend të sigurtë ku të shkojnë. Edhe të hënën, Izraeli i urdhëroi palestinezët të largohen nga disa pjesë të qytetit kryesor jugor të Gazës, Khan Younis, por banorët thanë se zonat ku u është thënë të shkojnë janë gjithashtu nën zjarr.

Banorët e dëshpëruar të Khan Younis-it mblodhën plaçkat dhe u nisën drejt Rafah-ut, shumica në këmbë, duke ecur pranë ndërtesave të rrënuara.

Adnani dy muajsh po trajtohej për lëndimet e marra gjatë një sulmi ajror. Familja e tij ka ikur nga veriu për të gjetur tmerrin në jug. Babai i tij, Ibrahim Esbeitan tha se djali i lindi më 9 Tetor.

“Do të kisha dashur që ai të shihte një jetë tjetër përveç kësaj. Çdo ditë ne i ikim vdekjes”, tha ai dhe e puthi të birin në dorë.

Kreu i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë në Gaza (UNRWA), Thomas White, tha se edhe njerëzit në Rafah po detyrohen të iknin. “Njerëzit po kërkojnë këshilla se ku të gjejnë siguri. Ne nuk kemi asgjë për t’u thënë,” tha ai në X.

Në Khan Younis, shumë nga ata që po shpërngulen janë zhvendosur tashmë nga zona të tjera.

“Dy deri në tre udhëtime gjatë kësaj lufte. U nisa për në Al-Shifa. Qëndrova aty 33 ditë. Pastaj ushtria izraelite na tha se ne duhet të lëvizim në jug. Erdhëm në zonat e sigurta dhe sot përsëri po zhvendosemi.”

Dy persona u vranë dhe një shtëpi u shkatërrua në një sulm izraelit herët të hënën në mëngjes në Khan Younis. Banorët e mbetur të pastrehë thanë se kishin lëvizur nga veriu në jug për sigurinë e tyre, por tani nuk e dinë se ku të shkojnë.

Bombardimi i një vendi në Rafah gjatë natës krijoi një krater të madh sa një fushë basketbolli. Këmbët e zbathura dhe pantallonat e zeza të një foshnjeje të vdekur dolën nga poshtë një grumbulli rrënojash. Banorët luftuan me duar për të lëvizur një copë betoni që e kishte shtypur fëmijën. Më vonë kënduan “Zoti është më i madhi” dhe qanë ndërsa ecnin nëpër rrënoja duke mbajtur trupat e dy fëmijëve.

“Ne ishim në gjumë dhe të sigurt. Kishte fëmijë dhe gra. Ju thonë se është një zonë e sigurt, por zonë të sigurt nuk ka në asnjë vend të Rripit të Gazës.”

Sipas OKB-së, rreth 80% e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të fushatës së bombardimeve izraelite që e ka kthyer pjesën më të madhe të enklavës bregdetare në një shkretëtirë rrënojash.

Në pjesën veriore të territorit, agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA tha se të paktën 50 vetë u vranë në një sulm ajror izraelit që goditi dy shkolla që strehonin njerëz të zhvendosur.

Komandanti i njësive të blinduara të Izraelit, gjeneral brigade Hisham Ibrahim, i tha Radios së Ushtrisë se objektivat pothuajse janë arritur në Gazën veriore. “Ne kemi filluar të zgjerojmë manovrën tokësore në pjesë të tjera të Rripit, me një qëllim për të rrëzuar grupin terrorist Hamas,” tha ai.

Izraeli thotë se urdhrat e tij të evakuimit kanë për qëllim mbrojtjen e civilëve. Aleati më i ngushtë i Izraelit, Shtetet e Bashkuara, i ka kërkuar Tel Avivit që të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët në pjesën jugore të Gazës. Por rreth 900 vetë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite që nga përfundimi i armëpushimit të premten e kaluar.

Klan News


Read Entire Article