Tentativa e arratisjes së Dan Hutrës, Balla: U parandalua një ngjarje e rëndë

9 months ago 6
13:51 05/01/2024

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vlerësuar punën e Drejtorisë së Burgjeve dhe Policisë së Burgjeve që parandaloi arratisjen nga burgu i Fierit të Dan Hutrës.

Në një prononcim për mediat nga Fieri, Balla tha se u veprua në kohë dhe u parandalua një ngjarje e rëndë.

Ministri Balla: Duhet vlerësuar dhe përshëndetur puna e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Policisë së Burgjeve, që i doli para një tentative. Përpjekje të tilla ndodhin shpesh, por fakti që u kap në kohë nga Policia e Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, tregon që është vepruar në kohë dhe është parandaluar një ngjarje e rëndë. Ky është komenti im.

Pyetje: Cili është qëllimi i mbledhjes sot?

Ministri Balla: Bashkë me 6 kryetarët e Bashkive të qarkut Fier, kemi bërë një takim që lidhet me gjithë punën e secilës prej bashkive për projektet e rëndësishme që pritet të zbatohen me buxhetet e miratuara të secilës bashki, por edhe me buxhetin e vitit 2024.

Qarku Fier mbetet në vëmendjen kryesore të qeverisë me investime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore dhe atë në bujqësi, që lidhen me kanalet vaditëse, ato kulluese, disa projekte që lidhen me digat e ujëmbledhësve që kërkojnë më shumë investime, projekte që lidhen me zhvillimin e turizmit. Fieri ka një vijë bregdetare mahnitëse, por që ende nuk ka marrë vlerën ekonomike që mund të transmetojë tek ekonomia e këtyre bashkive. Kemi diskutuar për projekte infrastrukturore që nxjerrin Fierin dhe bashki të tjera në bregdet për të rritur aksesin e turistëve në bregdetin e bukur të këtij qarku.

Dhe ndërkohë edhe për projekte të tjera të rëndësishme që lidhen me investime të mëdha që ne presim të kemi, sa i përket turizmit. Por të mos harrojmë në asnjë moment edhe për gjithë investimet e tjera që lidhen me zhvillimin e agroturizmit. Qarku i Fierit disponon resurse të rëndësishme të zhvillimit të turizmit, që lidhen me qytetet antike. Kemi Apolloninë, Bylisin për të cilat është investuar nga ana e qeverisë gjatë viteve të fundit për sa i përket infrastrukturës dhe aksesit tek to, por kjo duhet të shoqërohet me investime edhe në agroturizëm në mënyrë që ta shndërrojmë Fierin në një destinacion të rëndësishëm të turizmit në vend. Edhe investime të tjera që lidhen me infrastrukturën në arsim, edhe këtë vit do të kemi disa investime me rëndësi sa u përket shkollave, kopshteve dhe çerdheve në të 6 bashkitë e qarkut.

Pyetje: Në fundvit patëm një zjarr masiv në qytetin e Lushnjes, i cili nxori në pah nevojën për pasurimin e flotës së zjarrfikësve. A është ndërmarrë ndonjë hap deri në këto momente?

Ministri Balla: Dua të ndaj me ju faktin se dy ditë me parë kam udhëzuar fillimin e një inspektimi në nivel kombëtar të respektimit të rregullave të mbrojtjes kundër zjarrit dhe të shpëtimit. Inspektimin në të gjitha godinat me fluks dhe intensitet frekuence publike të madhe. Pra ju përmendët qendrën tregtare dhe mësimet e nxjerra nga ajo qendër tregtare na vlejnë tanimë për të parë se si respektohen të gjitha rregullat e mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit në të gjitha këto ndërtesa dhe jo vetëm, por edhe ne banesa e kudo në mënyrë që të vlerësojmë të gjitha kapacitetet parandaluese e mbrojtëse që ka çdo godinë.

Dua t’ju informoj se falë bashkëpunimit me partnerët tanë, bashkia Fier dhe njësia e mbrojtjes kundër zjarrit e Fierit, është përfituese e një projekti të rëndësishëm të mbështetur nga qeveria polake për të forcuar kapacitetet e veta të mbrojtjes kundër zjarrit, jo vetëm me një makinë zjarrfikëse të cilësisë shumë të lartë, por edhe konteinerë me të gjitha pajisjet mbrojtëse kundër zjarrit, e cila do t’i lëvrohet bashkisë së Fierit në ditët në vijim. Po ashtu edhe nga emergjencat civile,  do t’i kalohet bashkisë së Lushnjës një makinë tjetër zjarrfikëse me kapacitetet më të mira, në mënyrë që të shtojmë sa më shumë flotën e makinave zjarrfikëse.

Synojmë që gjatë këtij viti vetëm nga bashkëpunimi me partnerët të shtojmë rreth 11 makina zjarrfikëse  në të gjithë territorin, në mënyrë që të fillojmë përgatitjet që kanë të bëjnë me verën e këtij viti. Mos harroni asnjëherë që vera e zgjatur e vitit të kaluar kishte efektin e vet pozitiv sa i përket zgjatjes së ditëve me diell dhe të turizmit, por na vuri para një situate të vështirë sa i përket numrit të zjarreve. Dhe këtu vlen të kujtoj si gjithmonë apelin tim ndaj gjithë qytetarëve që të tregohen shumë më të vëmendshëm sa i përket shkaqeve që shkaktojnë zjarre. Sepse dhe një cigare e hedhur në mënyrë të shkujdesur mund të shkaktojë një situatë katastrofike, apo zjarr i cili dëmton pronat, por të ve në rrezik dhe jetën.

Prandaj duhet që nga qytetarët të ketë sa më shumë vëmendje, sa më shumë përgjegjësi dhe pa harruar asnjë moment dhe përgjegjësinë që kanë njësitë e mbrojtjes kundër zjarrit, dhe roli që duhet të luajnë të gjitha agjencitë apo strukturat shtetërore, sa i përket koordinimit për t’u përballur me këto sfida.

/tvklan.al


Read Entire Article