“The Power Of Now: A Guide to Spiritual Enlightenment” i cilësuar edhe si Filozofia e Epokës së Re nga Eckhart Tolle! Kritikë!

5 hours ago 17

Nga Ledion Liço

The Power Of Now: A Guide to Spiritual Enlightenment / Fuqia e së Tashmes, një Guidë për Përndritjen Shpirtërore, është një përplasje argumentesh për mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me veten dhe njëri-tjetrin. Koncepti i reflektimit dhe të qënit në të tashmen me trup dhe mendje, përmes ushtrimeve të lehta për të arritur principe që mund t’iu ndryshojnë jetën, të paktën këtë pretendon autori i këtij libri vetë-ndihmues.

Përkthyer në mbi 52 gjuhë të ndryshme “The Power Of Now” është një nga librat e rekomanduar nga Oprah Winfrey. Libri ka shitur 3 milion kopje vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe 9 milion në pjesën tjetër të globit. Është cilësuar si Filozofia e Epokës së Re (New Age Philosophy) duke patur referenca filozofike në Buddhism, tek Jezu Krishti dhe shkolla e Zen. Sipas autorit, problemet emocionale të çdonjërit prej nesh i kanë rrënjët tek mos njohja e tyre në mendje. Ankthi dhe depresioni shtohen kur ti qëndron shumë në të shkuarën ose në të ardhmen duke mos kuptuar fuqinë e së tashmes. Libri tregon se e tashmja është e vetmja gjë që ka rëndësi dhe se janë mendimet tona që formësojnë të shkuarën dhe të ardhmen tonë. Tolle është i mendimit të disa fizikantëve e matematicenëve (ndër to edhe Anjshtajn) që ‘Kontrolli mbi jetën tonë’ është një iluzion. Vullneti i lirë nuk ekziston. Përmes teknikave të meditimit dhe reflektimit, disa prej tyre: të shmangësh bërjen e shumë gjërave njëkohësisht (multi-tasking), qëndrimin në natyrë, apo të mos vrarit shumë të mendjes për të nesërmen, “The Power Of Now” sugjeron se mund të jetojmë më mirë se përpara. Ego-ja është një prej armiqve kryesorë të një jetese jo cilësore. I ndarë në 10 kapituj, libri tregon një filozofi për shkaterrimin e kësaj të fundit siç e njohim duke krijuar njerëz dhe shoqëri më të mira se ato ultra-kapitaliste në të cilat pjesa më e madhe e botës jeton sot.

“The Power of Now” është një nga titujt më të famshëm në zhanrin e librave vetndihmues të cilët u bënë shumë popullor në fundin e viteve ’90 deri në fillimin e 2020. Autori i tij, Eckhart Tolle ka reputacionin e një prej mësuesve më të zotë në botë kur vjen puna tek mësimet për të jetuar më mirë në trup e mendje.

Nocioni i parë që të bën përshtypje kur lexon librin është fakti që sipas Tolle nuk ka të shkuar ose të ardhme, ato ekzistojnë vetëm në mendjen tënde.

“Koha nuk është e çmuar hiç, sepse ajo është një iluzion. E vetmja gjë e çmuar është pika e vetme jashtë kohës: E Tashmja. Sa më shumë ta kthesh kokën para dhe pas, aq më shumë humbet thelbin, momentin që ka më shumë vlerë se çdo gjë, atë që po jeton tani”.

Autorit shprehet se ka vuajtur vetë nga ankthi dhe depresioni. Ishte kjo periudhë kur ai qëndronte mes tij dhe vetes, kur arriti në përfundimin që vetëdija dhe ti janë një, nuk janë dy. Mendja krijon vuajtjen, dhe vetdija e vëzhgon.

Trupi duhet ndarë nga mendja. Mendja shpesh bën hile të cilat të kufizojnë, por t’i nuk je mendja jote. Libri përmban një sërë ushtrimesh që vijnë nga Yoga, për të ndarë trupin nga mendja, për të qënë në të tashmen pa menduar për nesër apo dje. Zgjimi herët, frymëmarrja e ndërgjegjshme e të tjera si këto na ndihmojnë të zvogëlojmë dhe eventualisht eliminojmë stresin dhe ankthin.

Po ashtu mënyra më e mirë e të bashkëjetuarit me mendjen tënde është mos ta marrësh atë shumë seriozisht, ta kapësh veten që qesh me hallet e saj. Ego-ja nuk fiket asnjëherë dhe mendja në mënyrë të pandërprerë etiketon çdo gjë, duke dashur të përmirësojë të shkuarën ose të parapërgatisë të ardhmen. Mund të filloni me mos-paragjykimin e mendimeve që keni, në fund të ditës nuk mund ti kontrolloni, janë dallgë që vijnë dhe zhduken.

Shpesh duket sikur Eckhart përsërit veten, pak a shumë siç po bëj unë në këto rreshta, por është dëshira e tij për të përforcuar mesazhin e librit.

“I gjithë negativiteti krijohet nga grumbullimi i psikologjisë së kohës dhe mohimit të forcës së të tashmes, rëndësisë së kësaj të fundit. Sikleti, Stresi, Tensioni, Ankthi, janë forma frikërash që fuqizohen nga të qënit në të ardhmen me mendje, e jo në të tashmen. Njësoj, faji, pishmani, trishtimi, hidhërimi janë forma të jetuarit në të shkuarën e jo në të tashmen”

Librat e kësaj fryme janë aq shumë, sa e vështirë ti lexosh të gjithë. Në fakt është e panevojshme ti lexosh të gjithë, sepse thonë pak a shumë të njëjtën gjë. Por ky libër(th) i Eckhart Tolle është një ndër të parët që trumpetoi nevojën e të qënit i vetdijëshem duke i mëshuar rëndësisë që çdo gjë buron nga momenti në të cilin jemi tani. Bashkë me “The Power of Now” keni edhe dhjetra podcaste, video me mësime të kësaj natyre, dhe botime të tjera nga guru me famë ndërkombëtare.

Nëse jeni fans i audio-book-ëve, ju sugjeroj ta dëgjoni librin, të lexuar nga vetë autori, do të merrni edhe më shumë prej tij se duke e lexuar vetë.

Personalisht nuk jam ndonjë tifoz i ‘filozofizë së shekullit të ri’, as i të qënit skllav i librave vetndihmues, por prej gjithçkaje mund të mësojmë diçka. Ndaj është e sigurt që cilido prej jush do e nxjerrë diçka të vlefshme prej këtij libri, sado skeptik qoftë./Gazeta Shqip

Read Entire Article