Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Grigels Muçollari, ka reaguar në lidhje me protestën e mbajtur më 11 korrik para Kryeministrisë.
Ai u shpreh se protesta do të mbahet mend gjatë pasi ja doli të përmbushë shumë prej objektivave.
Muçollari shtoi se qeveria do të kuptojë shpejt se kostoja e injorimit të opozitës dhe popullit të zhgënjyer, është më e madhe se sa kostoja e pranimit të realitetit dhe konsiderimit të kërkesave për zgjedhje të lira e të ndershme.
Postimi i plotë:
Protesta është gjendje, jo datë
Protesta e 11 korrikut do të mbahet mend gjatë pasi ja doli të përmbushë shumë prej objektivave.
Me marshimin masiv në Bulevard, në temperatura ekstremisht të nxehta, demokratët, qytetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile vendosën një ekuilibër në sferën publike të dominuar nga propaganda e qeverisë, e cila, përmes mediave që kontrollon, mohon çdo problem dhe bën vetëm paradën e sukseseve.
Populli i sheshit tregoi realitetin tjetër, atë dominues në fakt, të halleve të mëdha ekonomike, të varfërisë, të shëndetësisë, të padrejtësive.
Synimi politik i protestës po ashtu u realizua, pasi kërkesat e Opozitës, për qeveri teknike si kusht për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për lirimin e liderit të PD, janë prej dje edhe kërkesa të shoqërisë, të mbështetura masivisht nga njerëzit.
Protesta e 11 korrikut sigurisht nuk ishte e fundit, dhe askush nuk pret një përmbysje të statuskuosë nga një aktivitet i tillë.
Protesta nuk është thjesht organizim dhe bashkim në një datë. Është gjendje, është mënyrë të vepruari, është stil jete.
Kjo e 11 korrikut ishte një kontribut i jashtëzakonshëm në këtë drejtim, duke thyer plogështinë dhe mpirjen.
Po ashtu, duke mbajtur gjallë frymën e rezistencës, përballë një qeverie që nuk i llogarit njerëzit, nuk i ka fare në defter, por vepron dhe merr vendime sikur askush të mos ekzistonte, pos kryeministrit, ministrave të tij dhe një grushti klientësh me të cilët ndajnë favoret dhe pasuritë e vendit.
Letargjia e verës, u thye dhe arroganca e pushtetit mori një përgjigje.
Protestat e ardhëshme vijojnë në piketa tanimë të përcaktuara.
Nisin nga shenjat që la 11 korriku.
Historia e këtyre 11 viteve dhe çfarë rilindja do të bëjë në muajt përpara zgjedhjeve, thjesht do t’i japin të drejtë 11 Korrikut, dhe do të nxisin edhe më shumë njerëz të rezistojnë, të qendrojnë, të ngrenë zërin, të protestojnë, të bashkohen me Opozitën.
Sheshi është korrektori i çmuar në një shoqëri ku qeveria ka kapur çdo pushtet, ka dorën e saj të zgjatur ngado, ka mbyllur hapësirat dhe nuk pranon kontestimin.
Sa më shumë ecën në këtë kurs, aq më shumë do të shtohen qytetarët në takimin e ardhshëm, aq më shumë do të rritet trysnia ndaj kastës, aq më shumë zmadhohen garancitë për realizimin e kërkesave kryesore të Opozitës.
Qeveria do të kuptojë shpejt se kostoja e injorimit të njerëzve, të Opozitës, të popullit të zhgënjyer, është më e madhe se sa kostoja e pranimit të realitetit dhe konsiderimit të kërkesave për zgjedhje të lira e të ndershme.
Kur protesta bëhet gjendje, dhe rezistenca institucion, asnjë regjim nuk ja del dot të triumfojë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb