Denoncimi nga organizata ndërkombëtare mjedisore “Basel Action Neteork” ekspozoi inekzistencën e institucioneve shtetërore, të cilat duhet të kishin zbuluar trafikun e mbetjeve. Dokumentet e publikuara nga BAN me qendër në Bazel zbuluan se prej muajsh në Kinë, në Portin e Nanshas, janë bllokuar 115 kontenierë nga dogana kineze Fangcheng, që kanë ardhur nga Porti i Durrësit. Sipas dokumenteve të përkthyera në anglisht nga BAN BAZEL rezulton se kemi deklarime të ndryshme nga ajo që është deklaruar në Portin e Durrësit pasi kemi të bëjmë me mbetje të ngurta.
Në dokumente deklarohet koncentrat zinku, kurse nga analizat e kryera në laboratorët kinezë ka mbetje të ngurta.
Për herë të parë, zbulohet se duke ndjekur gjurmën e kontejnerëve sipas sistemit të gjurmimit MAERSK, ngarkesat në anije janë vendosur në Portin e Pireut duke nxjerrë zbuluar se kontenierët janë shkarkuar në Greqi për t’u ngarkuar përsëri me destinacion final Kinën.
“Vetting” u përpoq të kontaktonte me zyrën e shtypit të Maersk, me Pavl Rasmussen për çështjen e kontenierëve në Kinë që sipas BAN Basel kanë dalë me mbetje të ngurta, por kësaj radhe përfaqësuesi i MAERSK nuk pati asnjë koment.
E vendosur nën presion, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaroi se rasti i përmendur nga BAN Basel, i dyshuar për transport mbetjesh të rrezikshme lidhet me kompaninë zviceriane “Achro-Ag”.
Ekpserti Abdulla Diku u shpreh se “Si mund të thuhet, nuk dihet sa mbetje kanë dalë nga Porti i Durrësit, një objekt i sigurisë së lartë, një objekt i rëndësisë së veçantë, ku një qytetari të thjeshtë i kontrollohet çanta e shpinës”.
Të dhënat zyrtare nga regjistri zviceran i biznesit tregojnë se si përfaqësues të kësaj kompania janë Jeton Islami dhe Sefik Ibraimi.
Prej vitit 2018 kjo kompani kryen veprimtarinë minerale, në kërkime gjeologjike dhe shfrytëzimin e kromit në zonën e masivit të Lubotenit në Kosovë nëpërmjet dy degëve të saj “Achro – shpk” dhe Achro-gl shpk”.
“Achro-shpk” ka si aksioner “Achro ag” zviceriane me 80% dhe Visar Suhodolli me 20% dhe drejtor Arjan Djeladini. Ndërkohë “Achro-Gl” shpk ka si drejtor Kujtim Hamidin dhe është plotësisht në pronësi të kompanisë zviceriane.
“Vetting” kontaktoi drejtorin Kujtim Hamidin, menaxher ACHRO-GL shpk, për të marrë një koment përsa i përket deklaratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Shqipëri.
“Gazetari: Doganat shqiptare kanë bërë një deklarata para disa javësh përsa i përket kompanisë “Achro-ag” zviceriane për eksportin e një produkti që ka ardhur nga Kosova tranzit në Shqipëri.
Kujtim Hamidi: Po!
Gazetari: Sipas deklaratës nga doganat, kjo çështje i është referuar Prokurorisë dhe kjo transfertë prej 115 kontenierësh, e cila ka shkuar në Kinë është bllokuar sepse aktualisht nuk rezulton me koncentrat zinku, por me mbetje.
Nuk jeni më pjesë e kompanisë?
Kujtim Hamidi: Jo…
Gazetari: Sepse këtu dilni drejtor dhe agjent i regjistruar, juve ju kanë lënë si menaxher për degën Kosovë.
Kujtim Hamidi: Aty del që një kompani tjetër, GL ndoshta është.
Gazetari: Po, po jeni, por GL-ja është në pronësi të Achro-ag, e kuptoni? Kompani mbas kompanie sepse kjo është puna ime.
Kujtim Hamidi: Po, po, mirë po nuk ka të bëjë kurrgjë GL me atë dërgesë për shkak se GL operon këtu në qytetin e Gjilanit.
Gazetari: Me zotin Arjan (Djeladini, menaxher te Achro-Ag) mund të na vini në kontakt?
Kujtim Hamidi: Mundeni të bisedoni me ata sepse ata janë pjesë e kompanisë.”
Por Visar Suhodolli rezulton bashkëpronarë me 50% të aksioneve me kosovarin Faik Krasniqin në kompaninë me qendër në Elbasan “Albrecovery”, e cila deri në vitin 2021 ka qenë aktive dhe ka si objekt veprimtarie nxjerrjen, përpunimin, tregtimin e mineraleve dhe metaleve, si dhe përpunimin e materialeve inerte etj.
“Vetting” u përpoq të kontaktonte në linjë telefonike Visar Suhodollin dhe përfaqësues të kompanisë “Achro” sh.p.k në Kosovë dhe “Albrecovery” në Shqipëri, por deri në publikimin e këtij materiali ishin të paarritshëm.
Por në Kosovë, Gjovana Sokolaj ka edhe një tjetër kompani “GG SA 2019” sh.p.k, të cilën e ka në bashkëpronësi me Adriatik Hoxhën. Nga të dhënat zyrtare në regjistrin kombëtar të biznesit në Kosovë, kjo kompani është themeluar në vitin 2019 dhe si drejtoreshë ka znj. Sokolaj. Ashtu si kompania në Shqipëri, edhe kjo kompani me qendër në Prishtinë ka si objekt grumbullimin, transferimin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme.
Nga hulumtimi i të dhënave bie në sy fakti që pronarët e kompanisë kanë vendosur si opsion te veprimtaria e kompanisë edhe përpunimin e lëndës djegëse nukleare. Kosova nuk është e përfshirë në vendet që përdorin si burim energjie lëndët nukleare. Për të kuptuar më shumë “Vetting” kontaktoi zyrën e Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore.
Në linjë telefonike për “Vetting”, Naser Balaj konfirmoi se nuk ka dhe nuk ka patur ndonjëherë asnjë kompani me këtë licencë. I pyetur nëse ky subjekt kishte transportuar mbetje radioaktive, si mbetjet e gjeneruara nga pajisjet shëndetësore, Balaj e mohoi në mënyrë kategorike.
“Vetting” kontaktoi në linjë telefonike zyrtarin e Doganës Kosovë, Adriatik Stavilecin për të marrë një koment për deklaratën e Doganave në Shqipëri. “E kemi sqaruar. Ju jemi përgjigjur mediave në Shqipëri. Nëse doni mund t’ju sqarojmë edhe njëherë”.
Pyetjes nëse kompania ““GG SA 2019” shpk dhe “Achro-ag” kishin eksportuar mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme nga Kosova në Portin e Durrësit ngelën pa përgjigje.
Më herët, Doganat e Kosovës kanë dalë në deklaratë për mediat pas deklaratës së Drejtorisë së Doganave në Shqipëri.
“Eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme”, deklaron Dogana Kosovë duke iu referuar koncentratit të Zinkut.
Dogana e Kosovës shton se ka hapur një hetim mbi këtë çështje dhe do të shqyrtojë të gjitha rastet që lidhen me këto dërgesa dhe do të informojë publikun.
Roli i Italisë
Historia e mbetjeve që po kthehen nga Singapori ka një episod të rëndësishëm pasi nga Porti i Durrësit janë nisur për në Portin e Triestes, ku janë shkarkuar për t’u ringarkuar në anije më të mëdha.
Gazetari Gjergji Thanasi deklaron se, “jemi para një skandali ndërkombëtar, pra, kemi të përfshirë Italinë, se këto kanë shkuar në Trieste, janë shkarkuar se anijet që çohen kontejnerët janë relativisht të vogla dhe quhen FIDERS”.
Tashmë mbetjet me 102 kontenierë po rikthehen me dy anijet e MSC-së, MSC Maria Saveria dhe MSC Irene dhe pritet se çfarë do të ndodhë me ngarkesat.
Sipas gazetarit Gjergj Thanasi, kjo çështje nuk do mbyllet me kaq sepse është ndërkombëtarizuar dhe ka shtete të tjera që përfshihen. “Është çështje qeveritare që prek sigurinë kombëtare të Italisë”.
Në fakt, në këtë çështje janë të përfshirë një numër i lartë institucionesh shqiptare, hetimi i të cilave mund të kërkojë kapacitetet për burime njerëzore dhe teknologjike që i zotërojnë vetëm institucione si Prokuroria e Posaçme. Sipas kryetarit të partisë “Mundësia”: “Mendoj që ngjarje kaq e rëndë duhet absolutisht të hetohet nga SPAK-u, nuk ka asnjë dyshim mbi këtë gjë”.
Për “Vetting”, Prokurorja e Durrësit, Suela Beluli deklaroi se në 16 gusht 2024 kanë filluar hetimet për veprat penale “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, si edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Mister ngelet fakti se sa titullar të institucioneve shtetërore janë nën hetim për shpërdorim detyre, e cila përbën një sfidë për vet Prokurorinë e Durrësit.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb