Shkodra është tronditur pasditen e sotme nga një atentat mafioz që i mori jetën Hamza Licit dhe Flutura Bashës, kalimtare e rastit.
Hamza Lici dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. Por së bashku me të në makinë ndodhej edhe Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidatit për bashkinë e Shkodrës në vitin 2023 në listat e Luzim Bashës.
Arlind Bushati ka marrë një plumb në kokë dhe është në gjendje të rëndë për jetën. Gjithashtu i plagosur rëndë ka mbetur edhe Bashkim Basha, bashkëshorti i Flutrës. Të dy po udhëtonin me motor, në momentin që “Benzi” me të cilin udhëtonin Lici dhe Bushati humbi kontrollin dhe përplasi çiftin.
Arlind Bushati më 11 tetor denoncoi në Policinë e Shkodrës një kërcënim e me armë zjarri që kishte ndodhur në pedonalen e qytetit. 32-vjeçari u paraqit në Komsiariatin e Shkodrës dhe denoncoi se persona të paidentifikuar të cilët qarkullonin me një motomomjet i kishin drejtuar armën e zjarrit.
NJOFTIMI I POLICISË 11 TETOR
Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore.
Nga veprimet paraprake të kryera dhe informacionet e marra në rrugë operative, paraprakisht dyshohet për dy shtetas, por për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Sa i përket atentatit të ndodhur ditën e sotme, policia nuk ka ende një emër autori. Policia njofton se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve./vizionplus.tv