Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zgjedhja e tij ka shkaktuar bujë dhe ka ndezur debate në Kosovë dhe jashtë saj.
Si do të jetë qasja e tij ndaj Kosovës?
Njohësi i çështjeve politike, Blerim Bujrani, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se Trump është një personalitet politik i papërcaktuar dhe i paparashikueshëm.
Sipas tij, nuk mund të bëhet një vlerësim i saktë për qasjen e tij ndaj Kosovës, pasi ai nuk i ka njohur mjaftueshëm shqiptarët dhe realitetin e situatës në rajon.
Blerim Bujrani
“Trump është personalitet i turbullt politik, nuk mund të paragjykohet se si do të sillet ndaj Kosovës, ai nuk i ka njohur shqiptarët as ku gjendet Kosova dhe me kë prej shteteve rrethohet, qasja e tij ishte disi si statike e momentit në kohën kur ishte president, kishte disa opsione për zgjidhjen e problemit politik shqiptaro-serb por kishte harru se nuk ka zgjidhje statusore sepse Kosova është shtet por duhet të ketë normalizim, ai nuk kishte emocione as politikë ndaj shqiptarëve e as ndaj serbëve apo ndryshe shumë pak e hiq i njeh këta dy popujë dhe problemet historike, por ideja e tij ishte disi me përmbyllë këtë relacion kishte propzouar idenë e blerjes së njohjes nga Serbia për Kosovën, opsioni i dytë ishte shkëmbimi territorial, opsioni i tretë ishte që Serbia ta njohë Kosovën dhe për fitim të ketë hyrjen në BE, por ai në fund u përcaktua se forcimi ekonomik i dy palëve dhe veçmas edhe i Serbisë duke e josh ekonomikisht dhe për të përfituar ekonomikisht nga ekonomia kosovare dhe burimet natyrore, por kjo marrëveshje e Washingtonit nuk u zbatua, tash Serbia deklarohet se i pëlqen fitorja e Trump në Kosovë e pranojnë ashtu si është Trump, përkundër asaj se ka opinione të ndryshme për të, e kur fitoi për herë të dytë Trump të gjithë thanë se mezi presin të punojnë me të”, shpjegon ai.
Më tej, ai thotë se Trump do të udhëhiqet nga interesi amerikan dhe se nuk do ta ketë prioritet Kosovën e as Serbinë.
“Trump u bë politikan për herë të parë kur u bë president dhe njëjtë për herë të dytë, ai si president ende ka probleme me gjykatat dhe rastet gjyqësore, por kjo nuk ishte pengesë që ai të kandidohet dhe të zgjidhet më tutje nuk dihet për momentin. Ai shumë pak njeh historinë e shqiptarëve, dhe shqiptarët, ai do të udhëhiqet nga interesi amerikan por s’do të ketë emocione për popujt e tjerë.
Për Trump nuk do ta ketë prioritet as Kosovën e as Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të jetë si nën temë e politikës së jashtme, sidoqoftë kjo nuk dihet se çfarë do të bëjë dhe cilat do të jenë sjelljet e politike në Lindje, Ukrainë, Kore, Tajvan, Kinë, Rusi. Trump është djathtist që i bie që do të merret me ekonominë amerikane dhe për të rritur ndikimin amerikan edhe jashtë SHBA”, përfundon ai për “Bota sot”.