Trumpi mund të zhgënjejë opozitarët, Kamala mund të zhgënjejë qeverinë

20 hours ago 37

Nga Mero Baze

Zgjedhjet në SHBA janë në orët e tyre të fundit dhe gjithë bota pret fituesin. Bota është ndarë kryesisht jo rreth Kamalës dhe Trumpit, por rreth vazhdimësisë së establishmentit tipik amerikan dhe rreth rrezikut të relativizimit të tij.

Fitorja e dytë e Trumpit rikthen debatin nëse Amerika do të bëhet më e madhe apo më pak e rëndësishme për botën.

Ata që janë kundër tij, mendojnë se ai do t’i humbasë SHBA-së rolin që ka në botë si garante e lirisë dhe demokracisë, duke u orientuar drejt negociatave dypalëshe dhe pazareve që devijojnë nga parimet amerikane dhe standardet e lirisë dhe demokracisë.

Ata që besojnë te Trumpi, shpresojnë pikërisht të shpëtojnë nga bezdia e këtyre parimeve, të kenë lirinë të bëjnë më shumë biznes dhe që konfliktet në botë të shmangen duke hequr pengesën e parimeve dhe duke u bazuar para së gjithash te pazaret mes palëve.

Ky është shpjegimi i thjeshtë për botën. Në Shqipëri ky shpjegim është i përmbysur dhe qesharak.

Opozita e do Trumpin për shkak se lidershipi i opozitës është thuajse i sanksionuar nga SHBA për shkak të familjes Berisha dhe aleatëve të tij, të cilët po ashtu janë të terrorizuar nga Reforma në Drejtësi që mban vulën dhe mbikëqyrjen e SHBA-së. Shpresa është se modeli i Presidentit Trump do t’i zhbëjë këto rregulla dhe do të heqë sanksionet për korrupsion dhe minim të demokracisë për Sali Berishën.

Nga ana tjetër, lidershipi i Edi Ramës është shumë i identifikuar me establishmentin aktual të SHBA-së dhe gabimisht opozita ja atribuon këtë gjë mbështetjes së Fondacionit Soros.

Ana komike e këtyre zgjedhjeve do të jetë se nëse fiton Trumpi, lidershipi i Edi Ramës mund të jetë më i qetë nën pushtetin e tij për të njëjtat arsye që ëndërrojnë opozitarët. Nëse ata vërtet mendojnë se Trump do të zhbëjë Reformën në Drejtësi dhe do të heqë qafe SPAK-un nga politika shqiptare, nuk di çfarë e pengon më Edi Ramën të marrë dhe mandatin e pestë në Shqipëri pas të katërtit.

Nëse fiton Kamala, natyrisht qeveria i ka raportet korrekte me SHBA-në, por sistemi punon kundër saj në një periudhë më afatgjatë, pasi do t’i duhet të ndeshet me problemet afatgjata të pushtetit të stërgjatur, nga një drejtësi që mbrohet nga SHBA.

Sidoqoftë, opozitarëve u duhet të gëzojnë të vetët deri në maj, ndërsa qeveria i ka gati të dy skenarët për çdo fitues, por e vërteta është se qeverinë nuk e zhgënjen asgjë nga këto zgjedhje. Opozitarët mund t’i zhgënjejë Trumpi. Si herën e shkuar.

Read Entire Article