Me urdhër të SPAK më 20 nëntor 2023 policia goditi një grup kriminal.
Urdhër-arrestet u lëshuan në vijim të zbërthimit të bisedave në “Sky ECC”, pas operacionit të parë “Metamorfoza”, ku u zbardhën një sërë ngjarjesh kriminale dhe u vunë në pranga disa efektivë policie, biznesmenë dhe prokurorë.
Lexo edhe :
Related Posts
Më 20 nëntor, mes të arrestuarve ishte Dedan Gjoni, shefi i Krimeve të Komisariatit numër 6 në Tiranë dhe Erzen Breçani ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit.
Ndaj Dedan Gjonit u ngrit akuza e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje.
Sot, më 22 dhjetor, një muaj më pas, Prokuroria e Posaçme kërkoi një tjetër masë arresti për Gjonin.
Ish-efektivi i lartë i uniformave blu akuzohet për sigurimin e kushteve për kryerjen e një vrasjeje.
Për të njëjtën akuzë është kërkuar masë e dytë ndaj tij pasi Prokuroria e Posaçme ka prova të forta se Gjoni ka marrë pjesë në një tjetër vrasje e mbetur në tentativë.
Bëhet fjalë për tentativën për të vrarë Xhevdet Plakun, me “urdhër” të Rexhep Rrapit, i arrestuar sot (22 dhjetor) me urdhër të SPAK.
Mësohet se ishte Gjoni ai që nxori në pritë shënjestrën. Plaku në rrethana të paqarta i shpëtoi atentatit.
Gjoni në atë kohë ushtronte detyrën e shefit të Komisariatit të Shijakut. Ai thirri Xhevdet plaku në komisariat për ta marrë në pyetje.
Më pas Gjoni ka lajmëruar anëtarët e grupit kriminal duke u nisur foto dhe orarin dhe në këtë mënyrë ka nxjerrë në pritë shënjestrën, i cili fatmirësisht ka arritur t’i mbijetonte atentatit.
Rezulton po ashtu se urdhri për të kryer këtë krim të rëndë është dhënë nga Holanda dhe dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës.