Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar Talat Xhaferin, i cili sot u zgjodh kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Basha shkruan se ‘Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standart shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor’.
“Urime të përzemërta Talat Xhaferit, Kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut .
Pa vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Ali Ahmetit, kjo do të ishte e pamundur. Roli konstruktiv dhe përkushtimi ndaj vlerave euroatlantike i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë përcaktues për anëtarësimin në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standart shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Duke i uruar suksese kryeministrit Talat Xhaferi, shpreh shpresën dhe besimin që rruga europiane e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë pa u ndalur“-thuhet në reagimin e Bashës.
Me 63 vota pro, tre kundër dhe asnjë abstenim, Talat Xhaferi u zgjodh kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet. Ai do të jetë kryeministër në tre muajt e ardhshëm, deri në përfundimin e zgjedhjeve. Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.
Top Channel