Në kufirin mes Libanit dhe Izraelit ka pasur rritje të madhe të shkëmbimit të zjarrit prej se nisi lufta mes Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA e BE – dhe Izraelit më 7 tetor.
Në konfrontime kufitare me Izraelin është i përfshirë kryesisht Hezbollahu, grupi i mbështetur nga Irani, gjë që ka nxitur frikë për zgjerimin e konfliktit në rajon.
“Një pozicion ushtarak i ushtrisë në… zonën Adaysseh u bombardua nga armiku izraelit, duke e lënë martir një ushtar dhe duke i plagosur tre të tjerë”, tha ushtria e Libanit në një komunikatë.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi të martën se ushtria izraelite kreu sulme ajrore në jug të Libanit, ndërsa Hezbollahu – po ashtu i shpallur organizatë terroriste nga SHBA – tha se kreu disa sulme ndaj trupave dhe pozicioneve izraelite.
Gjashtë ushtarë dhe tre civilë janë vrarë në Izrael nga sulmet e Hezbollahut kohëve të fundit, sipas autoriteteve izraelite.
Hezbollahu thotë se po kryen sulme ndaj Izraelit për ta mbështetur Hamasin, pasi grupi radikal kreu sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer rreth 240 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelit.
Si përgjigje, Izraelit është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin dhe prej atëherë është duke e bombarduar nga ajri dhe toka Rripin e Gazës, ku janë vrarë mbi 15.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së udhëhequr nga Hamasi./ rel