Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në një mbledhje urgjente, në prani të 9 anëtarëve, përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë dhe programet e asistencës OPDAT dhe EU4 JUSTICE, miratoi unanimisht 2 projekt-akte për caktime të përkohshme.
Konkretisht, Këshilli vendosi që Anita Jella të caktohet përkohësisht në pozicionin e drejtueses së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe Elidjana Kasa, në pozicionin e prokurores, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Më pas, me propozim të kryetares Mirela Bogdani, Këshilli vendosi të tërheqë nga rendi i ditës projekt-aktin “Mbi transferimin e përkohshëm pa pëlqim të Edlira Bako në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, për të rishikuar edhe një herë relacionin e saj, në mënyrë që të reflektohet edhe vendimi i gjykatës lidhur me procedurat e lëvizjes paralele ku ajo ka marrë pjesë.
Lidhur me plotësimin e vakancave në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Elbasan të propozuara nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi me 5 (pesë) vota pro dhe 4 (katër) kundër, të rrëzojë propozimet “Mbi transferimin pa pëlqim të 8 (tetë) prokurorëve.
Pas debateve për procedurën e ndjekur në plotësimin e këtyre vakancave, Vatë Staka propozoi në Këshill që kandidaturat e sjella përmes këtij projekt-akti, sidomos për Prokurorinë e rrethit Elbasan, e cila aktualisht ndodhet në kushtet e emergjencës, të kalojnë përmes procedurës me caktim të përkohshëm. Në vijim të diskutimeve, Këshilli u tërhoq për t’i lënë kohë Komisionit të Zhvillimit të Karrierës për të vazhduar me vlerësimin dhe evidentimin e kritereve dhe nevojave që paraqiten për mbushjen e vakancave në Prokurorinë e rrethit Elbasan.
Seanca plenare vijoi edhe gjatë ditës së sotme, ku pas një mbledhjeje maratonë, bazuar mbi relacionin shpjegues të përgatitur nga anëtari Relator, Staka, Këshilli vendosi miratimin për caktimin e përkohshëm të 3 prokurorëve në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, konkretisht për Gëzim Spahi, Ledion Tema dhe Gjergj Ceka. Ky vendim u miratua me 5 (pesë) vota pro dhe 2 (dy) kundër, në mungesë të Sokol Stojanit dhe Tartar Bazaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb