Veliaj: Nuk mund të vazhdojmë të ndarë në shoqata

11 months ago 26
18:36 06/11/2023

“Gati t’i japim opozitës më shumë vendimmarrje”

Pavarësisht se një pjesë e kryebashkiakëve janë përfaqësues të opozitës, kryebashkiaku Erion Veliaj vlerëson se përkatësia politike nuk duhet t’i pengojë të zgjedhurit vendor për të qenë të bashkuar në mbrojtjen e interesave të tyre.

Ndaj ai, në mbledhjen e përgjithshme të asamblesë së Shoqatës për Autonomi Vendore theksoi nuk ka kohë për të humbur duke u ndarë në disa shoqata.

“Nuk mund të vazhdojmë të ndarë në dy koka sepse ka ardhur koha që, përpara se të kërkojmë ndihmë, duhet të ftillohemi njëherë vetë. Thirrja mbetet e hapur: Eja diskutojmë një mënyrë se si t’u japim kolegëve të opozitës më shumë vendimmarrje, bashkëkryesi e bashkëqeverisje të kësaj organizate, sepse në thelb është instrumenti me të cilin marrim fondet. Është mëkat të humbasim kohë të çmuar duke u ndarë në dy shoqata dhe duke krijuar një kakofoni, sidomos për donatorët e huaj, që s’kuptojnë pse vazhdon kënga e viteve ’90”.

Nga ana tjetër kryebashkiaku shpalosi dhe programin për festën e pavarësisë, ku në Shqipëri për herë të parë do të zhvillohet parada e shqiptarëve.

“Kemi filluar përgatitjet për Paradën e Shqiptarëve në 28 Nëntor. Është një traditë që për 15 vite ka ndodhur në Nju Jork dhe ideja e “Albanian Roots” është që ta kthejmë në Shqipëri. Duam që vërtet të jetë një festë e madhe. Kemi kaluar situata shumë të vështira si tërmeti, pandemia, Prandaj është një moment tani për t’u ngritur me kokën lart, duke pasur parasysh që në shumicën e rasteve rikuperimi ka qenë i shpejtë. Kemi bërë ndërtesa e ngrehina, shkolla, institucione më të forta, më të bukura, më të mëdha dhe unë besoj se ky është dhe një moment krenarie në 111-vjetorin e Pavarësisë, ndaj ju ftoj të gjithëve të jeni pjesë e asaj dite të jashtëzakonshme”.

Veliaj bëri të ditur se vitin e ardhshëm Tirana do të marrë Presidencën e Rrjetit të qyteteve të Ballkanit e njohur ndryshe si B40.

Tv Klan








Të ngjashme

Read Entire Article