Rreth 120 efektivë të Forcave të Armatosura, forca zjarrfikëse të bashkisë së Tepelenës me mjetet e nevojshme, ndihmuar edhe nga helikopteri i FA janë angazhuar në aksionin për shuarjen e zjarrit në fshatin Luzat, bashkia Tepelenë, ku era e fortë përhapi në kohë të shpejtë flakët në një sipërfaqe me bimësi. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave bëri të mundur të shmanget rreziku për një nga banesat.
Situatën e ndoqi nga afër vetë Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shoqëruar edhe nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër Odise Kote dhe Komandanti i Forcës Tokësore Gjeneralmajor Ilir Xhebexhia.
Teksa parashtroi situatën, ministri Vengu tha se është kërkuar edhe bashkëpunimi i banorëve të zonës, në rast se do të kishte evakuime pjesore.
“Në një moment patëm vështirësi në përballimin e flakëve që po afroheshin në mënyrë të beftë, por kemi arritur të minimizojmë dëmet. Kemi ndërhyrë edhe me helikopter, duke arritur të kemi një mbulim sa më të mirë të situatës. Në Luzat është bërë një punë mjaft e mirë, janë shpëtuar shtëpitë, të cilat rrezikonin. Edhe banorët në këtë fshat kanë bërë një punë shumë të mirë për mirëmbajtjen e tokave të tyre, duke lehtësuar edhe punën dhe përpjekjen e FA për të ndërhyrë apo për të patur akses”, theksoi ministri Vengu.
Një nga banorët e fshatit falenderoi efektivët që morën pjesë në aksion.
“Forcat ishin të shumta dhe i mposhtën flakët. Më shpëtuan shtëpinë dhe baçen që kam bërë. Unë masat i kisha marrë, kam bërë brezin e butë rreth e rrotull parcelës që e kam mbjellë me të gjitha llojet e pemëve, por isha edhe i trembur”, u shpreh banori.
Ndërkaq forcat operacionale ndodhen ende në terren duke vijuar punën për shuarjen e plotë të të gjitha vatrave në këtë zonë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb