Në fillim të publikimi të skandalit, institucionet shtetërore, Ministria e Mjedisit, Doganat dhe Autoritetit Portual i Durrësit luanin pingpong me njëra-tjetrën për të anashkaluar përgjegjësinë.
Sipas ekspertit të mjedisit Abdulla Diku “gjëja më e keqe është se humbet kredibiliteti i vendit, pra ne nuk jemi më një vend i besueshëm për çdo lloj eksporti apo ngarkese që nisim nga portet tona apo aeroporti”.
Megjithatë një detaj i rëndësishëm është evidentuar nga transporti i dyshuar për eksportimin e mbetjeve të rrezikshme. Çfarë ka ndodhur?
“Vetting” zbulon se “SOKOLAJ” sh.p.k ka eksportuar oksid hekuri pa autorizimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit nga Porti i Durrësit. Nga informacionet zyrtare nga Agjencia e Mjedisit rezulton se nga dokumenti doganor SOKOLAJ sh.p.k ka kryer eksport të oksidit të hekurit, ku theksohet se mbetje të smarcit dhe okalines, që klasifikohen si okside hekuri dalin nga procesi teknologjik i punës së shoqërisë Kurum International Sh.a.
Sipas ekspertëve mjedisorë, oksidi i hekurit është mbetje e parrezikshme.
Sipas ekspertëve mjedisorë, oksidi i hekurit është mbetje e parrezikshme. Sipas eksperit Abdulla Diku, “nëse mbetjet janë transportuar pa autorizim, kemi të bëjmë me trafik mbetjesh, nëse mbetjet janë të eksportuara me autorizim mjedisor si mbetje jo të rrezikshme, sërish kemi trafik mbetjesh, sepse tjetër gjë është autorizimit, tjetër gjë është etiketa dhe tjetër gjë janë mbetjet”.
Pra, sipas Agjencisë së Mjedisit kemi vetëm oksid hekuri, por pa autorizimin e ministres Mirela Kumbaro, e cila ka konfirmuar këtë fakt edhe në deklaratën për “News24”. Ministrja Kumbaro u shpreh se subjekti në fjalë nuk ka marrë kodin e autorizimit nga institucioni, i cili shërben për gjurmueshmërinë e tij.
Sipas AKM, “lidhur me pyetjen ju bëjmë me dije se subjekti Sokolaj sh.p.k është gjobitur me masën 1 300 000, pasi nuk dispononte Autorizim Eksporti nga Ministri i MTM, kjo verifikuar me faturat që shoqëria Sokolaj sh.p.k kishte blerë oksid hekuri nga shoqëria Kurum International Sh.a”, deklaron Agjencia Kombëtare e Mjedisit për “Vetting”.
Drejtori ekzekutiv i Basel Action Network, Jim Puckett më herë kishte ngritur shqetësimin për këto materiale të shpërndara rifuxho në portin e Durrësit për të zbuluar se për çfarë substanca bëhej fjalë.
“Vetting” i bëri kërkesë për informacion Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për substancat e depozituara në kalatën lindore të Portit të Durrësit, çfarë lloj substancash ishin dhe a po trajtoheshin sipas ligjeve për mbrojtjen e mjedisit.
Në kthim-përgjigje për “Vetting”, AKM-ja deklaroi se substancat ishin oksid hekuri dhe ekzistonte një kontratë e lidhur midis “SOKOLAJ” sh.p.k dhe KURUM-it, e cila zbulohet për herë të parë.
Në lidhje me analizat, Agjencia e Mjedisit deklaroi se nuk ishte në kompetencat e saj dhe nuk dha asnjë koment për mënyrën se si po trajtohen këto mbetje. “Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për përbërjen e këtyre substancave, por deri në publikimin këtij materiali nuk morëm asnjë reagim nga zyra e Inspektoratit.
Sipas Gjergj Thanasit, “kompania shqiptare i ka blerë nga KURUM-I dhe në këtë rast KURUM-it ligjërisht KURUM-it nuk ke çfarë i bën se nuk e ka eksportuar ai, ai ka të drejtë ta shesë mallin, biles KURUM-I dhe e ka kontabilizuar, e ka njoftuar te TATIMET, për të paguar taksat se dihet se është ajo taksa mbi të ardhurat që merren në burim”.
Ajo që e bën më interesante çështjen është se kompania që i ka blerë këto ngarkesa nga “SOKOLAJ” sh.p.k është “GS Minerals D.o.o” e regjistruar në Kroaci, e cila rezulton në pronësi të familjes Sokolaj. Ka qenë ky veprim që ka krijuar dyshimet se këtu kemi të bëjmë me një ngarkesë tjetër, e cila nuk ka thjesht oksid hekuri.
Sipas kryetari të partisë Mundësia dhe deputetit Agron Shehaj “ky është elementi më i rëndësishëm që tregon qartazi që kemi të bëjmë me një aktivitet ilegal, eksportuesi kishte diçka për të fshehur se ndryshe nuk kishte pse t’ia shiste vetes, ngarkesën dhe pastaj ia shiste subjektit final në Azi”.
Nga të dhënat në faqen e “D&B” e cila mbulon sektorin financiar ndërkombëtar për kompanitë rezulton se në vitin 2023 “GS MINERALS D.O.O” nuk arriti të shtonte stafin duke zbuluar se ka patur vetëm një punonjës, Gjovana Sokolaj, e cila mesa duket ka shërbyer vetëm për të kryer transaksionet.
Gazetari Gjergj Thanasi shkon më tek teksa deklaron se “kemi falsifikim dokumentesh, është bërë apo nuk është bërë analiza, kush e ka bërë analizën? Se në qoftë se e bëj unë si subjekt, unë mund të shkruaj flori atje, mund të shkruaj djathë, ulli të mbushur Berati, shkruaj ca të dua. Pra, dogana është brenda, siguria portuale ka gjurmë”.
Sipas kryetarit të partisë “Mundësia”, deputetit Agron Shehaj ky rast tregon hapur se institucionet shtetërore kanë dështuar në zbulimin e këtij trafiku.
Më tej, Agron Shehaj për “Vetting” u shpreh se “shiko tani duhet të themi të vërtetën”. “E vërteta është se po të mos ishte për Shqipërinë, s’do kishte ndodhur asgjë. Trafikimi i mbetjeve toksike do vazhdonte si pa gjë të keqe fare, askush nuk do ngrinte zërin”.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb