Organizata Freedom House, me seli në Uashington, në raportin e fundit “Vendet në Tranzicion 2024; “një rajon përballë forcave të autokracisë dhe demokracisë”, thekson se demokracia në Shqipëri u ndesh me një sërë sfidash, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të fundit, të cilat konsoliduan më tej pozitën dominuese të partisë në pushtet.
Freedom House sjell një pasqyrë të zymtë edhe për skenën mediatike. Ndërsa thekson se disa nga kompanitë mediatike, marrin subvencione nga qeveria qendrore dhe lokale në këmbim të një mbulimi të favorshëm, përmend televizionin News24 si median që është treguar kritike ndaj qeverisë dhe për pasojë përballet me masa ndëshkuese, kërcënime dhe në disa raste gjoba të larta.
“Kur mediat bëhen kritike ndaj qeverisë, si në rastin e televizionit News24 të familjes Hysenbelliu, ato përballen me masa ndëshkuese, kërcënime dhe në disa raste gjoba të larta”, citon raporti.
Në një pjesë tjetër të raportit ‘Freedom House’ vlerëson përpjekjet e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe veçon rezultatet e hetimeve ndaj figurave politike.
“SPAK përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend”.
Lidhur me hetimet e SPAK ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për korrupsion, Freedom House shton se krahu i tij politik “është shndërruar në një grup të dhunshëm, që duket se dëshiron të destabilizojë vendin, duke e bërë arrestimin e tij lajm të mirëpritur për shumë njerëz”.
Reagimi negativ nënvizon realitetin se SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta i vetëm dhese është e rëndësisë jetike për demokracinë në Shqipëri, që partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe që kanë një të kaluar që minon sundimin e ligjit dhe demokracinë.
Sipas ‘Freedom House’, partitë politike shqiptare vazhdojnë të mos jenë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre dhe duken të pavullnetshme për t’u distancuar nga udhëheqësit problematikë partiakë që janë sanksionuar jashtë vendit ose që ballafaqohen me akuza serioze nga SPAK-u.
“Kjo dukuri pjesërisht ka të bëjë me mungesën e demokracisë së brendshme të partive politike dhe paaftësisë për t’i dhënë përgjigje kësaj dukurie negative në radhët e tyre”.
Qeveria, sipas raportit shfrytëzoi “përplasjet në PD për të penguar edhe më tej autoritetin e parlamentit që të kërkojë llogaridhënie nga qeveria, duke miratuar një numër ligjesh të reja në dhjetor të vitit 2023 për dënime të ashpra ndaj deputetëve që veprojnë në kundërshtim me rregullat, duke ia vështirësuar opozitës kërkesën e hetimeve parlamentare për vendimet e qeverisë”.
Raporti gjithashtu thotë se kryeministri Rama dhe Partia Socialiste “shfrytëzuan përçarjet gjithnjë e më të dhunshme të opozitës për të konsoliduar pushtetin dhe dominuar zgjedhjet e mbajtura më 14 maj”.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb